
Një re e madhe pluhuri nga shkretëtira e Saharasë ka mbuluar pjesën më të madhe të Karaibeve të hënën, duke shënuar ngjarjen më të madhe të këtij lloji për vitin 2025. Sipas ekspertëve, kjo re po udhëton drejt Shteteve të Bashkuara dhe pritet të prekë disa shtete amerikane në fundjavë.
Reja pluhurit shtrihet për rreth 3,200 kilometra, nga Xhamajka deri përtej Barbadosit në lindje të Karaibeve, si dhe 1,200 kilometra nga Ishujt Turks dhe Kaikos në veri, deri në Trinidad dhe Tobago në jug.
“Është një fenomen mbresëlënës,” deklaroi Alex DaSilva, ekspert i uraganeve në AccuWeather.
Në shumë zona të Karaibeve, qielli është mbuluar nga një mjegull e dendur, duke shkaktuar teshtima, kollë dhe irritim të syve. Autoritetet lokale paralajmëruan qytetarët, sidomos ata me alergji, astmë apo probleme të tjera respiratore, që të qëndrojnë brenda ose të mbajnë maska nëse dalin jashtë.
Sipas Yidiana Zayas, parashikuese në Shërbimin Kombëtar të Motit në San Juan, Porto Riko, përqendrimi i pluhurit arriti nivelin më të lartë për këtë vit, me një thellësi optike të aerosolit prej 0.55.
Reja pritet të arrijë në shtetet jugore të SHBA-së përfshirë Floridën, Luizianën, Alabamën dhe Misisipin nga fundi i javës. Megjithatë, ekspertët theksojnë se zakonisht, deri sa të arrijë në SHBA, reja ka humbur një pjesë të konsiderueshme të përqendrimit të saj./AP