
Policia ka arrestuar 21-vjeçarin Aldo Neziri, i dyshuar si autor i plagosjes së rëndë me armë zjarri të një 15-vjeçari, ngjarje që ndodhi pasditen e së dielës në një piceri në lagjen Ali Demi në Tiranë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 17:10, pas një konflikti për motive të dobëta. I mituri u dërgua me urgjencë në spitalin e Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas hetimeve të para, policia arrestoi autorin e dyshuar Aldo Neziri, i cili përballet me akuzat për “plagosje e rëndë me dashje” dhe “mbajtje pa leje e armëve”.
Po ashtu, në pranga ka përfunduar edhe pronari i lokalit, Leonardo Mejdani, si dhe tre punonjës të picerisë: Ferit Basha, Andi Hyka dhe Keivin Bala. Ata akuzohen për “moskallëzim krimi” dhe “pengim të drejtësisë”, pasi dyshohet se kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes duke pastruar gjurmët dhe fshehur pamjet filmike nga kamerat e sigurisë.
Hetimet mbi rastin vijojnë ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.