Vendosni fjalën kyçe....

Ministri izraelit i Mbrojtjes akuzon drejtpërdrejt presidentin sirian pas sulmeve me raketa


Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, deklaroi se e konsideron presidentin sirian Ahmed al-Sharaa “drejtpërdrejt përgjegjës për çdo kërcënim dhe zjarr drejt shtetit të Izraelit”, duke shtuar se “përgjigjja e plotë do të vijë sa më shpejt të jetë e mundur”. Kjo deklaratë erdhi pas një breshërie raketash të lëshuara nga jugu i Sirisë të martën në mbrëmje.

Ushtria izraelite (IDF) njoftoi se sirenat e raketave ranë në disa qytete dhe fshatra në veri të Izraelit dhe në Lartësitë Golan. Si përgjigje, IDF goditi me zjarr artilerie pozicionet në jug të Sirisë.

Burime të sigurisë për The Jerusalem Post thanë se ende nuk është e qartë nëse sulmet me raketa nga Siria dhe ato nga Jemeni ishin të koordinuara, ndërsa forcat izraelite po hetojnë ngjarjen.

Sipas të njëjtave burime, raketat u lëshuan nga zona të thella brenda territorit sirian, përtej zonës tampon me Izraelin, çka sugjeron përdorimin e raketave me rreze të mesme. Ende nuk dihet me saktësi se cili grup qëndron pas këtij sulmi.

IDF konfirmoi se vala e parë e raketave nga Siria ra në një zonë të pabanuar pa shkaktuar dëme. Disa minuta më vonë u raportua për një tjetër breshëri raketash në drejtim të veriut të Izraelit, por nuk është konfirmuar nëse ajo u lëshua gjithashtu nga Siria.

Ndërkohë, alarmet për raketa u aktivizuan në Hispin (Lartësitë Golan), Nof Hagalil, Kfar Tavor dhe Nazaret. Këshilli Rajonal i Luginës Jezreel sqaroi se sirenat në Nazaret u shkaktuan nga një raketë e lëshuar nga Jemeni, që preku edhe zonën qendrore të Izraelit. Megjithatë, më vonë ushtria izraelite sqaroi se alarmet e aktivizuara në orën 22:00 në Galilenë e Poshtme ishin rezultat i një identifikimi të gabuar.