Vendosni fjalën kyçe....

KQZ i përgjigjet PD: 99 mijë fletë votimi të papërdorura u raportuan gabimisht si “0”


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është përgjigjur kërkesës së Partisë Demokratike për verifikimin e fletëve të papërdorura në zgjedhjet e 11 majit.

Në dokumentin zyrtar të firmosur nga Komisioneri Ilirjan Celibashi, saktësohet se 99,455 fletë në 233 qendra votimi janë raportuar gabimisht si të përdorura.

Sipas KQZ-së, numri real i fletëve të papërdorura është 1,935,328, të cilave u shtohen edhe 27,340 fletë nga zonat me votim elektronik dhe 5,369 të tjera me pasaktësi në raportim. 

Përgjigja e KQZ ndaj PD:

I nderuar Z. Nuri

Në përgjigje të kërkesës tuaj lidhur me verifikim të menjëhershëm të fletëve të votimit të përdorura për zgjedhjet e datës 11 Maj 2025, ju informojmë se :

Numri prej 1,935,328 fletë votimi të papërdorura përfshin vetëm sasinë e raportuar të këtyre fletëve sipas procesverbaleve të çdo QV-je.

Këtij numri i duhen shtuar edhe:

  1. 27,340 fletët e votimit për 74 QV, ku ështe aplikuar votimi elektronik, ZAZ Nr.27 (Bashkia Vorë) dhe ZAZ Nr. 41 (Njësia Administrative 10, Tiranë). Sikurse mund të kuptohet edhe këto fletë votimi nuk janë përdorur;
  2. 99,455 fletë votimi të papërdorura që përbëjnë sasinë e këtyre fletëve për 233 QV, në procesverbalet e të cilave gabimisht është shënuar me “0” numri i fletëve të papërdorura;
  3. 5,369 janë fletë votimi të papërdorura por që numrat e tyre në test llogjik vlerësohet se janë pasqyruar me gabime në procesverbalet përkatëse për çdo QV (janë 1,380 QV që kanë raportuar këto të dhëna me gabime).

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve

Ilirjan CELIBASHI