
Kreu i i Partisë së Lirisë Meta shkruan se 130 mijë fletët e votimit “të humbura” janë njësoj si 130 milionë eurot e avulluara të inceneratorit të Tiranës që nuk ekziston.
Në një reagim nga qelia ai shkruan se për humbjen e fletëve të votimit nuk ka asnjë përgjegjësi dhe asnjë transparencë. Meta thekson se ky terrorizëm elektoral nuk mund të pranohet.
“130 mijë fletë votimi “të humbura”, si 130 milionë eurot e “avulluara” të inceneratorit të Tiranës që nuk ekziston. Në Narkoshtetin e Edi Ramës mund të ndodhin krime intelektuale kaq të sofistikuara: Humbin votat, siç zhduken paratë e taksapaguesve. Asnjë përgjegjësi, asnjë transparencë.
Vjedhin 130 milion euro për një incenerator që nuk e ndërtuan kurrë – tani zhdukin edhe 130 mijë fletë votimi, si të ishin mbetje për djegie. Në këtë vend ku vetëm plehrat nuk digjen por “digjet” vota, atëherë bashkë me të është djegur demokracia, shteti i së drejtës dhe e ardhmja e vendit. Kurrë nuk mund të pranohet ky terrorizëm elektoral!” – shkruan Meta.