Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-të i japin dritën jeshile Sirisë për të përfshirë në ushtri luftëtarët e huaj


 

Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë bekimin një plani nga udhëheqja e re e Sirisë për të përfshirë mijëra ish-luftëtarë rebelë xhihadistë të huaj në ushtrinë kombëtare, me kusht që ta bëjë këtë në mënyrë transparente, tha i dërguari i presidentit Trump.

Tre zyrtarë sirianë të mbrojtjes thanë se sipas planit, rreth 3,500 luftëtarë të huaj, kryesisht ujgurë nga Kina dhe vendet fqinje, do bashkoheshin me një njësi të sapoformuar, divizionin e 84-t të ushtrisë siriane, i cili do përfshinte edhe sirianë.

I pyetur nga Reuters në Damask nëse Uashingtoni miratoi përfshirjen e luftëtarëve të huaj në ushtrinë e re të Sirisë, Thomas Barrack, ambasadori i SHBA-së në Turqi, i cili u emërua i dërguari special i Trump në Siri muajin e kaluar, tha: “Do thoja se ka një mirëkuptim, me transparencë.”

Ai tha se ishte më mirë t’i mbanin luftëtarët, shumë prej të cilëve janë “shumë besnikë” ndaj administratës së re të Sirisë, brenda një projekti shtetëror sesa t’i përjashtonin ata.

Fati i të huajve që iu bashkuan rebelëve të Hayat Tahrir al-Sham të Sirisë gjatë luftës 13-vjeçare midis grupeve rebele dhe Presidentit Bashar al-Assad ka qenë një nga çështjet më të vështira që pengojnë një afrim me Perëndimin që kur HTS, një degë e dikurshme e al-Kaedës, rrëzoi Assadin dhe mori pushtetin vitin e kaluar.

I dërguari i SHBA-së për Sirinë, Thomas Barrack

Të paktën deri në fillim të majit, Shtetet e Bashkuara kishin kërkuar që udhëheqja e re të përjashtonte gjerësisht luftëtarët e huaj nga forcat e sigurisë.

Por qasja e Uashingtonit ndaj Sirisë ka ndryshuar ndjeshëm që kur Trump vizitoi Lindjen e Mesme muajin e kaluar. Trump pranoi të hiqte sanksionet e epokës së Assadit ndaj Sirisë, u takua me presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, në Riad dhe emëroi Barrack, një mik të ngushtë, si të dërguarin e tij të posaçëm.

Dy burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes të Sirisë i thanë Reuters se Sharaa dhe rrethi i tij kishin argumentuar me bashkëbiseduesit perëndimorë se sjellja e luftëtarëve të huaj në ushtri do ishte më pak rrezik për sigurinë sesa braktisja e tyre, gjë që mund t’i çonte ata në orbitën e al-Kaedës ose Shtetit Islamik.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së dhe një zëdhënës i qeverisë siriane nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.