
Të paktën 34 persona kanë vdekur në rajonin verilindor të Indisë, pasi përmbytjet e mëdha shkaktuan rrëshqitje toke gjatë katër ditëve të fundit, thanë autoritetet dhe media të hënën ndërkohë që departamenti i motit parashikoi shira të tjerë të rrëmbyeshëm.
Më shumë se një mijë turistë të bllokuar në shtetin himalajan Sikkim po evakuoheshin të hënën, tha një deklaratë qeveritare, dhe ekipet e shpëtimit të ushtrisë u vunë në shërbim në shtetin Meghalaya për të shpëtuar më shumë se 500 persona të bllokuar në zonat e përmbytura, shkruan Reuters.
Në Bangladeshin fqinj, të paktën katër anëtarë të një familjeje u vranë në një rrëshqitje dheu në rrethin verilindor Sylhet, ndërsa qindra strehimore janë hapur në të gjitha rrethet kodrinore të Rangamati, Bandarban dhe Khagrachhari të dielën.
Autoritetet kanë paralajmëruar për rrëshqitje të mëtejshme dheu dhe përmbytje të menjëhershme, duke u bërë thirrje banorëve në zonat e cenueshme të qëndrojnë vigjilentë.Verilindja e Indisë dhe Bangladeshi janë të prirura për shira të rrëmbyeshëm që shkaktojnë rrëshqitje dheu dhe përmbytje vdekjeprurëse, duke prekur miliona njerëz çdo vit.
