
Partia Demokratike pretendon se mungojnë 130 mijë fletë votimi të papërdorura në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Përmes një shkrese depozituar në KQZ, PD kërkon hetim administrativ urgjent dhe verifikim të plotë të fletëve në të gjitha kutitë e votimit në rang vendi.
Sipas dokumentit, PD thotë se sipas të dhënave zyrtare të vetë institucionit, rezulton se janë:
3.534.792 fletë votimi të prodhuara;
1.463.204 fletë votimi të gjetura në kutitë e votimit;
1.935.834 fletë votimi të deklaruara si të papërdorura;
dhe 5.000 fletë votimi të deklaruara të dëmtuara.
PD thotë se diferenca tregon qartë se mungojnë 130.754 fletë votimi të papërdorura!
PD-ASHM kërkon që KQZ të sqarojë në mënyrë të detajuar se çfarë ka ndodhur me fletët që nuk përputhen me asnjë kategori zyrtare: as të votuara, as të papërdorura dhe as të dëmtuara.
“Kërkojmë, nisjen e një hetimi administrativ urgjent nga ana e KQZ-së, si dhe verifikimin e përmbajtjes së fletëve të votimit në të gjitha kutitë e votimit në rang vendi (5.225 QV), në përputhje me nenin 160 dhe vijues të Kodit Zgjedhor;
Sqarime të detajuara mbi këtë situatë faktike, me qëllim të tregohen qartë vendndodhja dhe trajtimi i mbi 130.000 fletëve të votimit, pasi nuk përputhen në asnjë mënyrë numri total i fletëve të prodhuara me shumën e votave të gjetura në kuti, plus fletëve të papërdorura plus fletët e dëmtuara.
Këmbëngulim që për këto fakte tronditëse, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të veprojë menjëherë dhe në përputhje të plotë me parimin e ligjshmërisë”, thuhet në dokument.