
Liderët e së djathtës ekstreme në Evropë kanë mirëpritur fitoren e nacionalistit konservator Karol Nawrocki në zgjedhjet presidenciale në Poloni.
Nawrocki, 42 vjeç, fitoi me 50.89% të votave, përballë rivalit të tij liberal, Rafał Trzaskowski, kryebashkiaku i Varshavës dhe aleat i Tusk, i cili mori 49.11%.
Fitorja e tij është përshëndetur nga figura të njohura të së djathtës radikale evropiane si Viktor Orbán dhe Marine Le Pen, që e cilësuan si “refuzim të elitës së Brukselit” dhe sinjal për forcimin e aleancave euroskeptike.
Megjithëse posti i presidentit në Poloni është kryesisht ceremonial, ai ka fuqi të rëndësishme vetoje, të cilat mund ta bllokojnë qeverinë e Tusk për të miratuar ligje të reja – për shkak se koalicioni i tij nuk ka shumicën e nevojshme 60% për t’i anuluar ato.
Fitorja e Nawrockit është konsideruar si një referendum kundër qeverisë aktuale, duke rritur rrezikun e paralizës institucionale dhe forcimin e së djathtës Partia Ligj dhe Drejtësi (PiS), që e mbështeti kandidaturën e tij.
Nawrocki pritet të zëvendësojë presidentin në largim Andrzej Duda, gjithashtu aleat i PiS. Ai është kritiku i ashpër i Bashkimit Evropian dhe i vendosur në mbrojtjen e vlerave konservatore katolike, duke premtuar se do të votojë kundër reformave progresive si liberalizimi i abortit apo të drejtat për komunitetin LGBTQ+.
Ndërkohë, liderë evropianë si Ursula von der Leyen dhe presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier shprehën shpresën për vazhdimin e bashkëpunimit me Poloninë mbi bazën e vlerave demokratike dhe shtetit të së drejtës.