
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, e ka cilësuar krijimin e Komandës Kibernetike dhe Ndërlidhjes si një moment historik për mbrojtjen e Shqipërisë në epokën dixhitale.
Gjatë ceremonisë së themelimit të kësaj komande, ministri theksoi rëndësinë strategjike që ka siguria kibernetike në mbrojtjen kombëtare.
Kjo Komandë do të drejtohet nga gjeneral Hamdi Doda.
“Sulmet kibernetike të vitit 2022 ndaj Shqipërisë shërbyen si një kujtesë e fuqishme se në një botë dixhitale, mbrojtja e hapësirës kibernetike është po aq e rëndësishme sa mbrojtja e integritetit territorial të vendit,” deklaroi ministri Vengu.
Sipas tij, krijimi i kësaj komande vjen si përgjigje ndaj sfidave të reja të sigurisë dhe konfirmon angazhimin e Shqipërisë për modernizimin e infrastrukturës së saj mbrojtëse. “Kjo iniciativë e re thekson rolin tonë më aktiv në arkitekturën rajonale të sigurisë dhe brenda aleancës, sidomos në fushën e politikave të mbrojtjes kibernetike,” tha ai.
Ministri Vengu bëri të ditur se ky zhvillim është rezultat i një procesi pesëvjeçar, i mbështetur nga aleatët strategjikë të Shqipërisë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Komanda e re vjen me një qasje bashkëkohore dhe dinamike, por edhe me një trashëgimi të vlefshme, pasi elementët e parë ndërlidhës në Forcat e Armatosura janë themeluar që në vitin 1931,” u shpreh ministri, duke shtuar se kjo strukturë do të luajë një rol kyç në garantimin e sigurisë kombëtare në dekadat që vijnë.