Vendosni fjalën kyçe....

KQZ reagon pas kërkesës së PD për hetim për 130 mijë fletë votimi të papërdorura


Partia Demokratike ka dorëzuar sot një kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke ngritur shqetësimin për fatin e rreth 130 mijë fletëve të votimit të papërdorura në zgjedhjet e 11 majit, dhe ka kërkuar nisjen e një hetimi administrativ.

KQZ ka reaguar menjëherë përmes një letre zyrtare, ku sqaron se numri total i fletëve të papërdorura është 1,935,328, sipas procesverbaleve të raportuara nga çdo qendër votimi (QV). Por këtij numri i shtohen edhe disa kategori të tjera:

  • 27,340 fletë votimi që i përkasin QV-ve ku është përdorur votimi elektronik (në Vorë dhe Njësinë nr. 10, Tiranë), ndaj nuk janë përdorur fizikisht;
  • 99,455 fletë votimi që, për shkak të gabimeve në raportim, rezultojnë si “0” në procesverbale përkatëse në 233 QV;
  • 5,369 fletë votimi të tjera janë të papërdorura, por raportuar me gabime në procesverbalet e 1,380 QV-ve.

KQZ thekson se sqarimet janë pjesë e një verifikimi të detajuar dhe paralajmëron se gabimet në procesverbalet e QV-ve po analizohen për të përmirësuar procesin dhe transparencën zgjedhore.