
Ish-ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, është zgjedhur presidente e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me 167 vota pro, në një votim të fshehtë të mbajtur në Nju Jork, ku 14 vende abstenuan dhe 7 votuan kundër, përcjell Radio Evropa e Lirë. Votimi sekret u kërkua nga Rusia, megjithëse zgjedhja e saj konsiderohej një formalitet.
Në fjalën e saj pas zgjedhjes, Baerbock, 44 vjeçe, u shpreh se do të jetë një “ndërmjetëse e sinqertë dhe unifikuese”, duke theksuar se dera e saj do të jetë e hapur për të gjithë. Ajo nënvizoi sfidat globale aktuale, duke thënë se “po ecim në një litar të tendosur të pasigurisë”, por theksoi nevojën për bashkëpunim dhe përgjegjësi për përballimin e tyre.
Inaugurimi i saj do të bëhet më 9 shtator, pak para nisjes së sesionit të ri vjetor të Asamblesë. Pozita e presidentes është njëvjeçare dhe kryesisht ceremoniale, ndryshe nga roli ekzekutiv i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i cili shprehu mbështetje të plotë për Baerbock, duke përmendur përvojën e saj si ish-ministre.
Guterres theksoi gjithashtu rëndësinë e zgjedhjes së saj, duke e cilësuar një moment historik pasi Baerbock bëhet vetëm gruaja e pestë që mban këtë post në historinë e OKB-së.