Vendosni fjalën kyçe....

Bill Gates: Pjesa më e madhe e pasurisë time do të shkojë për shëndetësi dhe arsim në Afrikë


Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, ka deklaruar se shumica e pasurisë së tij prej 200 miliardë dollarësh do të investohet për të përmirësuar shëndetësinë dhe arsimin në Afrikë gjatë 20 viteve të ardhshme, përcjell BBC.

Duke folur nga Addis Abeba, kryeqyteti i Etiopisë, Gates tha se “çdo vend në Afrikë duhet të jetë në rrugën drejt prosperitetit duke fuqizuar potencialin njerëzor përmes shëndetit dhe edukimit”.

Ai theksoi gjithashtu rolin që mund të luajë inteligjenca artificiale (AI) për të modernizuar sistemet shëndetësore të kontinentit dhe u bëri thirrje inovatorëve të rinj afrikanë të përdorin teknologjinë për këtë qëllim.

Gates theksoi se fondacioni i tij – i cili do të përfundojë punën në vitin 2045 – do të fokusohet në:

  • Uljen e vdekjeve të parandalueshme të nënave dhe foshnjave;
  • Luftimin e sëmundjeve infektive;
  • Nxjerrjen e miliona njerëzve nga varfëria.

Ai theksoi rëndësinë e kujdesit për nënën dhe fëmijën që në fazat e hershme të jetës, duke përmendur shembullin e Ruandës që tashmë po përdor AI për të identifikuar shtatzëni me rrezik të lartë.

Gates ka premtuar se do të dhurojë 99% të pasurisë së tij deri në vitin 2045.

“Kur të vdes, nuk dua që njerëzit të thonë ‘ai vdiq i pasur’,” shkroi ai së fundmi.

Megjithatë, kritikët vënë në dyshim ndikimin e madh të fondacionit në politikat globale të shëndetit dhe përfitimet fiskale që lidhen me statusin e tij si organizatë bamirëse.

Ndërkohë, ndihma amerikane për Afrikën është reduktuar nën politikën “America First” të Donald Trump, duke rritur shqetësimet për të ardhmen e kujdesit shëndetësor në kontinent.