Vendosni fjalën kyçe....

Ankimimi i PD/ KAS shtyn Lezhën për të enjten, rrëzohet kërkesa për përjashtimin e Rusmalit


Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve është mbledhur sot për të shqyrtuar ankimimin e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj të ADSHM, për tabelat e rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit për qarkun e Lezhës, të miratuara nga ana e KQZ-së.

Edhe pse PD e ka fituar këtë qark 4 me 3 mandate ndaj PS-së, edhe pse me një ‘grusht’ votash, selia blu ka ndjekur të njëjtën strategji si për qarqet e tjera, duke e ankimuar rezultatin.

Ky ankimim po shqyrtohet pas atyre në Kukës, Berat, Dibër, Vlorë dhe Gjirokastër.

Ndërkohë që as sot nuk u arrit të merrej një vendim për qarkun e Kukësit, mbledhje e shtyrë nga e premtja e kaluar. Mbledhja e sotme përsëri u shty për datën 4 qershor (përtej afatit të parashikuar), me shpresën që mund të kenë edhe provat e DHL-së për shtete të tjera, përveç Greqisë.

Në përfundim edhe të mbledhjes për Lezhën, relatori Ilirjan Rusmali, pas konsultimit edhe me palët përfaqësuese në sallë, vendosi ta shtyjë për ditën e enjte, 5 qershor, ora 15:00, me qëllim mbledhjen dhe shqyrtimin e provave.

Në nisje të mbledhjes, u rrëzua edhe kërkesa e depozituar nga Logu në emër të PD-ADSHM, për përjashtim të anëtarit Ilir Rusmali, për konflikt interesi.

KAS vendosi që subjekti mund të vazhdojë ankimimin në shkallët e mëtejshme, duke e cilësuar të pabazuar pretendimin e dorëzuar nga Logu.