Vendosni fjalën kyçe....

Açka: Berisha erdhi në krye të PD-së në shkelje të Statutit, duhet një reformim i thellë


Deputetja demokrate Flutura Açka ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike, duke e cilësuar rezultatin e 11 majit si të pritshëm dhe krizën aktuale në parti si pasojë të mungesës së reflektimit të lidershipit.

E ftuar në emisionin “Programi i Drekës” në News24, Açka tha se Berisha erdhi në krye të partisë në kundërshtim me Statutin dhe se tashmë është koha që ai të bëjë “një të mirë të fundit për PD-në”.

“Kemi ardhur rrotull dhe jemi po në të njëjtën pikë. Lidershipi ka një lloj përgjegjësie. Nuk është kënaqësi të të dalin ato që ti mendon, por duke parë peizazhin e gjerë, kam dalë në ato konkluzione”, u shpreh Açka.

Sipas saj, shumë figura brenda PD-së nuk kanë treguar guxim për të thënë të vërtetën, duke mbajtur qëndrime politikisht korrekte ndaj lidershipit.

“Për mua, mënyra se si erdhi në pushtet lidershipi i PD ishte në shkelje të Statutit dhe kjo na solli në këtë situatë. Duhej të kishim parë shenja reflektimi, por nuk ka pasur asnjë të tillë”, tha Açka.

Ajo përmendi se PD nuk arriti objektivat e saj, përfshirë kërkesën për një qeveri teknike dhe premtimin për një revolucion që nuk ndodhi, ndërsa rezultati konkret ishte “një tjetër mandat për Edi Ramën”.

“Ka nevojë për një reflektim të të gjitha strukturave. Po e fusin PD-në në një kurth politik që do ta dëmtojë edhe më tej”, paralajmëroi Açka.

Duke folur për Sali Berishën, ajo u shpreh se nuk e kishte pritur dorëheqjen e tij pas humbjes, por nënvizoi se ka ardhur momenti që ai të kuptojë rëndësinë historike të situatës dhe të respektojë Statutin e partisë.

“Berisha duhet të bëjë një të mirë të fundit për PD-në, që ta çojë drejt një reformimi të thellë”, përfundoi Açka.