
Qindra mijëra qytetarë dhe studentë kanë dalë në rrugët e më shumë se 30 qyteteve të Serbisë këtë të shtunë, në një valë protestash që kërkon shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe vendosjen e drejtësisë për tragjedinë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.
Protestat u organizuan me iniciativën e studentëve, të cilët për më shumë se gjashtë muaj kanë mbajtur bllokime të fakulteteve publike dhe tubime në mbarë vendin. Ato parashikohen të zgjasin tri orë dhe të përfundojnë me një homazh 16-minutësh për viktimat e ngjarjes tragjike që ndodhi shtatë muaj më parë.
Në Beograd, protestuesit bllokuan dy nga urat kryesore të qytetit – Gazelën dhe Urën e Brankos – duke brohoritur “Duam drejtësi, duam të vërtetën, duam zgjedhje!”. Ndërsa në Novi Sad, qytetarë dhe studentë ndalën qarkullimin në nyjet qendrore, duke bërë thirrje për mbikëqyrje të pushtetit dhe respektim të Kushtetutës.
Në qytetin e Pozharevcit, protesta nisi më herët dhe pritet të zgjasë 13 orë. Protestues nga qytete të ndryshme, përfshirë Çaçakun, Jagodinën dhe Beogradin, udhëtuan për të marrë pjesë në marshin simbolik, duke sjellë mesazhe uniteti dhe përkushtimi.
Organizatorët kanë paralajmëruar se në të gjitha qytetet pjesëmarrëse do të lexohen fjalime të përbashkëta, ndërsa kanë theksuar se protesta do të vazhdojë derisa kërkesat të përmbushen.
Nga ana tjetër, qeveria serbe ka reaguar me tone kritike. Kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, e quajti protestën një “shqetësim pa kuptim”, duke e përshkruar si “dhunë për hir të dhunës”. Por studentët dhe qytetarët mbeten të vendosur, duke refuzuar pretendimet se kërkesat e tyre janë përmbushur dhe duke kërkuar përcaktimin e përgjegjësisë penale dhe politike për viktimat e Novi Sadit.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar më herët se zgjedhjet do të mbahen brenda 18 muajsh, por protestuesit kërkojnë që ato të shpallen menjëherë.