Vendosni fjalën kyçe....

Lezhë/ Vritet me breshëri plumbash në oborrin e shtëpisë 57-vjeçari


Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mëngjesin e sotëm zonën e Tales në Lezhë, ku një 57-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri brenda oborrit të banesës së tij.

Viktima është identifikuar si Pjetër Kaza, i cili sipas policisë është gjetur i pajetë nga bashkëshortja e tij rreth orës 05:00, sapo ishte kthyer nga turni i natës në minierën e Spaçit.

Sipas të dhënave paraprake, autorët i kanë zënë pritë viktimës pranë banesës dhe e kanë qëlluar me breshëri plumbash në momentin që po parkonte automjetin në oborr. Policia thotë se vrasja është kryer me armë automatike, ndërsa pista kryesore e hetimeve është ajo e hakmarrjes.

Ngjarja e sotme duket se është një tjetër kapitull i një sagë të përgjakshme që përfshin dy fiset Kaza dhe Gjini nga zona e Mirditës, konflikt që ka nisur që në vitin 1994.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije: “Pista kryesore mbetet gjakmarrja, pasi një vit më parë mësohet se Kazës i kishin vrarë edhe vëllanë në Belgjikë.”

Sipas dosjes hetimore, saga e përgjakshme nisi në vitin 1994, kur vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini ekzekutuan Ndue Kazën, shef i Krimeve të Policisë në atë kohë.

Në vitin 1997, Martin Kaza, vëllai i Ndue Kazës, vrau vëllezërit Gjini në një akt hakmarrjeje, për të cilin u ekstradua nga Londra dhe u dënua me 22 vite burg në Shqipëri.

Konflikti nuk përfundoi me kaq. Në prill të vitit 2024, Agustin Kaza, vëllai i Pjetrit, u vra me katër plumba në një lokal në Belgjikë, ndërsa po pinte kafe.

Policia konfirmoi ngjarjen me një njoftim zyrtar:
“Në fshatin Tale, Lezhë, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. K., rreth 57 vjeç, banues në Tale. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur para banesës së tij, në kohën që shtetasi P. K. po kthehej për në banesë me automjetin e tij.”

Autoritetet kanë ngritur një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorit, i cili po punon për të zbardhur rrethanat e plota të krimit dhe për të identifikuar autorin apo autorët.

Në vendngjarje ndodhen edhe forcat e rendit dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, të cilat kanë rrethuar zonën dhe po mbledhin provat e nevojshme.

Ngjarja e sotme e çon në pesë numrin e viktimave në këtë sagë të përgjakshme që ka zgjatur më shumë se 30 vite, ndërsa hetimet janë në vijim.