
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë mohuar akuzat për vrasjen e 30 civilëve pranë një zone shpërndarjeje ndihmash në Rafah, duke pretenduar se nuk ka pasur asnjë të shtënë në afërsi të vendit dhe se raportimet ndërkombëtare janë të bazuara në gënjeshtra të përhapura nga Hamasi, përcjell YNetNews.
Sipas një deklarate zyrtare të IDF-së, bazuar në një hetim fillestar, nuk ka pasur zjarr ndaj civilëve në ose pranë zonës së shpërndarjes së ndihmave humanitare. “Në orët e fundit, janë përhapur publikime të rreme që përmbajnë akuza serioze ndaj IDF-së për gjuajtje ndaj banorëve të Rripit të Gazës në zonën e ndihmës humanitare. Këto raportime janë të pavërteta,” thuhet në deklaratë.
Zëdhënësit ushtarakë thanë se pamjet e sigurisë nuk tregojnë asnjë të shtënë zjarri në vendngjarje dhe theksuan se IDF po bashkëpunon me organizatën civile amerikane GHF dhe agjenci të tjera ndërkombëtare për shpërndarjen e ndihmave, duke ia mohuar këto ndihma Hamasit.
Sipas IDF-së, Hamasi është një “organizatë terroriste mizore që urinë popullsinë dhe e vë atë në rrezik për të ruajtur kontrollin e tij mbi Rripin e Gazës.” Ata akuzuan Hamasin se po saboton shpërndarjen e ndihmave dhe po inskenon masakra për të diskredituar IDF-në në sytë e opinionit ndërkombëtar.
“Forcat izraelite u bëjnë thirrje mediave që të jenë të kujdesshme ndaj dezinformatave të publikuara nga Hamasi, gjë që është provuar në disa raste të mëparshme,” thuhet më tej në deklaratë.
Një burim i IDF-së pohoi gjithashtu se gjatë natës, rreth një kilometër larg nga zona e shpërndarjes së ndihmave – jashtë orarit të shpërndarjes – trupat izraelite kishin qëlluar me armë paralajmëruese ndaj disa personave të dyshimtë që po afroheshin drejt tyre. “Ky incident nuk ka asnjë lidhje me akuzat e rreme që po bëhen kundër ushtrisë izraelite,” përfundoi ai.
Kjo deklaratë vjen mes kritikave të ashpra ndërkombëtare pas raportimeve për viktima civile në Rafah, teksa situata humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet.