
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se një delegacion ukrainas do të udhëtojë të hënën drejt Stambollit për një raund të ri bisedimesh të drejtpërdrejta për paqe me Rusinë. Ky zhvillim vjen në një moment kur Rusia ka intensifikuar ndjeshëm sulmet ndaj Ukrainës, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha, përcjell New York Post.
Sipas Zelensky, ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, do të udhëheqë delegacionin ukrainas. “Po bëjmë gjithçka për të mbrojtur pavarësinë, shtetin dhe popullin tonë,” deklaroi ai në Telegram.
Ndërkohë, Rusia ka kryer sulmin më të madh me dronë që nga fillimi i luftës tre vjet më parë. Forcat ajrore të Ukrainës konfirmuan se janë lëshuar 472 dronë mbi territorin ukrainas, së bashku me shtatë raketa. Një nga sulmet me raketa goditi një njësi stërvitore të ushtrisë, duke lënë të vrarë 12 ushtarë ukrainas dhe mbi 60 të plagosur. Autoritetet ushtarake njoftuan ngritjen e një komisioni hetimor për të zbuluar shkaqet e sulmit dhe përgjegjësit.
Zelensky deklaroi se Ukraina ka kërkuar nga Moska një memorandum të premtuar, në të cilin të paraqitet qëndrimi i saj për përfundimin e luftës, para se të zhvillohen bisedimet. Rusia ka njoftuar se do ta dorëzojë këtë memorandum gjatë takimit në Stamboll.
Nga ana tjetër, Ukraina ka raportuar se dronë të saj kanë arritur të godasin thellë brenda territorit rus, përfshirë rajonin siberian të Irkutskut, mbi 4,500 kilometra në lindje të Moskës. Ky është rasti i parë i një sulmi të tillë në këtë zonë. Sulme të tjera me dronë janë regjistruar në rajonet ruse të Riazanit dhe Murmanskut, pa raporte për viktima.
Në veri të Ukrainës, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se ka marrë kontrollin e fshatit Oleksiivka në rajonin e Sumit. Autoritetet ukrainase kanë urdhëruar evakuimin e detyrueshëm në 11 vendbanime të tjera për shkak të avancimeve të vazhdueshme të forcave ruse.
Gjenerali i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, theksoi se sulmi kryesor i forcave ruse aktualisht është përqendruar në rajonin e Pokrovskut.