
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të paraqitet nesër në orën 09:30 në ambientet e SPAK-ut, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të vendosur nga Gjykata e Apelit të Posaçëm.
Berisha, i cili akuzohet për korrupsion pasiv në çështjen “Partizani”, është i detyruar të paraqitet dy herë në muaj – çdo të hënë të parë dhe të tretë – pranë Prokurorisë së Posaçme.
Në prag të kësaj paraqitjeje, strukturat e Partisë Demokratike janë mobilizuar për të organizuar një tjetër tubim në mbështetje të kryetarit të tyre. Në një mesazh të shpërndarë në radhët e degëve të PD-së thuhet:
“Të dashur miq. Nesër ditën e Hënë në orën 9:30 Kryetari i PD Prof. Dr. Sali Berisha do jetë në dyert e SKAP-it. Ju lutem të mobilizojmë strukturat e degëve për të qenë të gjithë aty. Faleminderit.”
Nuk është hera e parë që Berisha shoqërohet nga mbështetësit e tij në SPAK. Që nga lirimi i tij më 27 nëntor 2024, pas një viti në arrest shtëpie, ai ka vijuar të përballet me drejtësinë për akuzat që lidhen me përfitimet e paligjshme nga kompleksi “Partizani”.
Në të njëjtën dosje është i pandehur edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në arrest shtëpie. Të dy akuzohen për përfshirje në një skemë të përfitimit të paligjshëm të pronave ku më pas janë ndërtuar të paktën 19 kulla banimi, duke gjeneruar fitime të mëdha financiare.
Përveç Berishës dhe Malltezit, të pandehur në këtë çështje janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, përfshirë biznesmenin Fatmir Bektashi, i akuzuar për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”.
Ndërkohë, prokuroria pritet të thellojë hetimet mbi rolin e institucioneve shtetërore që, sipas dosjes hetimore, kanë ndihmuar në realizimin e këtij transaksioni të dyshimtë.