Vendosni fjalën kyçe....

11-vjetori i Shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, Liturgji Hyjnore e veçantë


Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u zhvillua sot Liturgjia Hyjnore me rastin e 11-vjetorit të Shenjtërimit të saj, një moment me rëndësi të veçantë për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ceremonia u kryesua nga Fortlumturia e Tij, Imzot Joani, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, dhe u ndoq nga një numër i madh besimtarësh që mbushën ambientet e katedrales.

Të pranishëm në shërbesë ishin edhe Mitropolitët Nikolla i Apollonisë dhe Fierit, Andoni i Elbasanit, Asti i Beratit, Nathanaili i Amantias, si dhe Episkopi i Krujës, Anastasi, së bashku me klerikë të Kryepiskopatës. Gjatë fjalës së tij, Kryepiskopi Joan theksoi rëndësinë shpirtërore dhe historike të kësaj dite, duke e cilësuar si një përvjetor me domethënie të shumëfishta dhe gjithmonë aktuale. Më 1 qershor 2014, me ceremoninë e shenjtërimit të kësaj kishe madhështore, u shënua rikthimi i “syrit” shpirtëror orthodhoks në zemër të Tiranës, nga ku ishte shkulur me dhunë nga regjimi ateist.

Akti i shenjtërimit u bë në praninë e përfaqësuesve të të gjitha Kishave Orthodhokse, duke përfshirë Patriarkun Ekumenik Vartholomeu, Patriarkun e Jerusalemit Theofilin, të Serbisë Irineun, të Rumanisë Danielin, Kryepiskopin e Qipros Krisostomin, të Greqisë Jeronimin, Kryepiskopin e Shqipërisë Anastasin dhe atë të Polonisë Savën. Gjithashtu morën pjesë përfaqësues nga Patriarkatet e Aleksandrisë, Antiokisë, Rusisë, Bullgarisë dhe Gjeorgjisë.

Patriarku Ekumenik, gjatë asaj Liturgjie historike, theksoi se ceremonia shënon ringjalljen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri, një realitet i gjallë pas dekadave të shtypjes dhe persekutimit. Ai e quajti këtë një dëshmi të fuqishme të jetës shpirtërore dhe e përshkroi Ngjalljen si një përvojë reale dhe të prekshme për besimtarët orthodhoksë.

Kompleksi i Katedrales përfaqëson një vepër të jashtëzakonshme arkitektonike dhe shpirtërore. Ai përfshin naosin e mbushur me afreske e ikona murale, paraklisin “Lindja e Krishtit”, kambanaren madhështore, Qendrën Kulturore me sallën e madhe të shfaqjeve dhe Qendrën Sinodike. Kjo hapësirë është kthyer jo vetëm në një simbol të ringjalljes shpirtërore, por edhe në një destinacion të rëndësishëm për vizitorët e kryeqytetit.

Në përfundim të Liturgjisë, Kryepiskopi Joan ngriti në gradën e Arkimandritit Atë Ignat Todrin dhe promovoi hierodhjakon Johan Koroveshin në gradën e Kryedhjakonit. Ceremonia u mbyll me shërbesën e përshpirtjes pranë vendit ku prehet i ndjeri Kryepiskop Anastas, në nderim të veprës së tij të jashtëzakonshme në ringritjen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri.