
Ndërsa pranoi se zgjedhjet e 11 majit u zhvilluan në klimë të pabarabartë me përdorimin e administratës dhe nën ndikimin e bandave, Fatmir Mediu, shprehu kritika edhe ndaj reformës zgjedhore.
Sipas aleatit më të afërt të kreut të PD-së Berisha, reporma zgjedhore nuk jep hapësirë për të vënë në funksion të gjitha potencialet konkurruese.
Përveç kësaj, kreu i Partisë Republikane tha se listat e hapura sipas këtij kodi zgjedhor, u kthyen në një garë brenda kandidatëve që garuan për votat e demokratëve duke lënë pas dore elektoratin gri.
“Mënyra e organizimit të koalicionit do një këndvështrim tjetër në gjykimin tim. Fati i keq është që kjo reformë zgjedhore nuk të lejon hapësirën që të vësh në funksion gjithë potencialet konkurruese njerëzore që ka një subjekt politik. Një opozitë e ndarë është gjithnjë favori i Edi Ramës me 52 për qind të votave, Edi Rama kontrollon mbi 60 për qind të parlamentit. Listat e hapura për mendimin tim kanë krijuar një problem të madh brenda opozitës si sistem zgjedhor se krijoi shtresën e patriarkëe të cilët ishin autoritetet e mëdha politike dhe shtresën e atyre që luftonin për të marrë votat brenda habitatit dhe për më tepër krijoi një problem tjetër zgjedhor që u kthye në një lloj primareje brenda PD-së kush merrte votat brenda PD-së sesa të arrish të identifikosh votuesit dhe ata që janë të pavendosur.” – tha Mediu për Report Tv.