Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim 10 zyrtarë të institucioneve mjedisore për shpërdorim detyre 


Prokuroria e Tiranës ka çuar për gjykim 13 persona, mes tyre 10 zyrtarë të institucioneve mjedisore, për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, në lidhje me trajtimin e mbetjeve të rrezikshme spiralore.

Hetimi nisi pas kallëzimit të një gazetari investigativ dhe zbuloi bashkëpunim mes zyrtarëve dhe tre administratorëve të kompanive private për të përfituar tendera e leje mjedisore në mënyrë të paligjshme. Kompania “V. R.” rezulton të ketë përfituar mbi 30 tendera në vitet 2017–2022, në kundërshtim me ligjin.

Njoftimi:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq 13 persona, mes të cilëve 10 inspektorë e zyrtarë të institucioneve mjedisore për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’, duke lejuar shkelje në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spiralore.

Në kuadër të hetimeve të zgjeruara për çështjen penale nr.1255/2024, e cila u regjistrua pas kallëzimit të gazetarit investigativ S.K., u këqyr i gjithë dokumentacioni zyrtar, u morrën deklarime, si dhe u verifikuan në terren dhe u administruan provat materiale e fotografike.

Hetimi zbuloi një skemë të gjerë falsifikimi dhe shpërdorimi detyre, e cila përfshinte bashkëpunim ndërmjet subjekteve private dhe funksionarëve publikë dhe për rrjedhojë u morrën të pandehur për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve (neni 186/3 i Kodit Penal) shtetasit:

  • M., administrator i “V.R Shpk”
  • Sh., administratore e “E.. Shpk”
  • Sh., administrator i “S…. Shpk”

Këta shtetas akuzohen për deklarime të rreme mbi pajisje teknologjike për sterilizimin e mbetjeve, të përdorura për të përfituar kontrata publike dhe leje mjedisore në mungesë të kapaciteteve reale.

Gjithashtu, u morrën të pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës (neni 248 i K.Penal) dhjetë inspektorë dhe zyrtarë të institucioneve mjedisore: J.Sh., E.P., A.M., N.D., T.P., B.S., A.K., B.L., I.B., dhe K.A..

Ata dyshohen se kanë kryer inspektime formale, kanë pranuar dokumentacion të manipuluar dhe nuk kanë verifikuar kushtet reale të instalimeve në terren. Nga analiza e të dhënave rezultoi se, gjatë periudhës 2017–2022, subjekti “V. R..” ka përfituar mbi 30 tendera, duke përdorur pajisje të pasakta dhe të munguara në vendushtrim te aktivitetit, në kundërshtim me kriteret ligjore për lejet mjedisore të tipit A dhe B. Ky hetim nxjori në pah problematika të rënda në zbatimin e standardeve mjedisore, mungesën e kontrolleve efektive dhe bashkëpunimin e dyshimtë ndërmjet interesave privatë dhe autoriteteve mbikëqyrëse.

Të gjithë personat e përfshirë gëzojnë prezumimin e pafajësisë, deri në një vendim përfundimtar nga gjykata kompetente.