Vendosni fjalën kyçe....

PD: Shkelje të rënda me votën e diasporës


Partia Demokratike ka ngritur akuza të forta ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionerit Ilirjan Celibashi, duke e akuzuar për vonesa të pajustifikuara në dhënien e informacionit lidhur me zbatimin e kontratës me kompaninë postare DHL International Albania, çka sipas PD po cenon të drejtën për ankimimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, theksoi se ekzistojnë dyshime serioze për mospërputhje mes numrit të votuesve dhe numrit të votave të regjistruara, ndërsa kërkoi bashkëpunim të plotë dhe pa vonesa nga ana e Komisionerit Celibashi për të garantuar transparencën dhe integritetin e procesit.

PD njoftoi se përfaqësuesit e saj kanë kërkuar informacion zyrtar nga KQZ që prej 9 majit, por vetëm më 22 maj KQZ ka dhënë përgjigje, ndërsa vetëm gjashtë ditë më pas ka kërkuar zyrtarisht nga DHL të dërgojë të dhënat mbi dërgesat në shtetet ku votohet nga jashtë.

Deklarata:

Pas kërkesave të përsëritura të përfaqësuesve të PD pranë KQZ që prej datës 15 Maj, në datën 23 Maj, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi u prononcua se shumë shpejt do të mbërrijë informacioni zyrtar për zbatimin e kontratës nr.1358/20 datë 4 Prill 2025 së lidhur ndërmjet AK KQZ dhe ‘Kontraktorit DHL International Albania shpk’.

Ndërkohë edhe pse DHL ka paraqitur një pjesë të materialit që prej datës 22 Maj, Komisioneri 6 ditë më vonë ‘bëhet mbarë’ për ti kërkuar DHL me anë të shkresës nr. 4444/4 që të dërgojë me prioritet të lartë informacionin për dërgesat e dorëzuara në të gjitha shtetet.

Fakti që KQZ përgjigjet 11 ditë me vonesë në datën 22 Maj për kërkesa të PD drejtuar me shkrim që në datën 9 Maj, sjell si pasojë pengesën e subjektit zgjedhor ASHM të ushtrojë efektivisht të drejtën e ankimimit dhe përgatitjes në kohë për këtë qëllim.

Ekzistojnë dyshime serioze se ka diferenca votash krahasuar me numrin e votuesve, prandaj kërkohet nga Komisioneri Celibashi të bashkëpunojë maksimalisht e pa vonesë në mënyrë që të identifikohen sa më parë këto të dhëna.

Kujtojmë se deri tani kemi mjaftueshëm prova që vërtetojnë se kontrata numër 1358/20 datë 4 Prill 2025 e lidhur ndërmjet AK-KQZ dhe Kontraktorit DHL International Albania shpk nuk është zbatuar siç palët kanë rënë dakord në përputhje me kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të kontratës, specifikimet teknike etj.

Neni 23 i KP të kësaj kontrate parashikon veprimet që KQZ ndërmerr në rast se provohet se DHL është angazhuar në praktika të ndaluara, siç është fakt publik dhe i provuar zbatimi i shërbimit nga nënkontraktorë të palejuar nga vetë kontrata.

Aq më shumë sikurse parashikon neni 23.4 KQZ mundet të ndërpresë kontratën në çdo kohë nëse gjykon se ky veprim duhet ndërmarrë për ti shërbyer sa më mirë interesit publik.

Ilirjan Celibashi ‘ta ndajë mendjen’ pas gjithë shkeljeve të faktuara me prova nga PD , është kundër apo pro ligjit dhe interesit publik….