Vendosni fjalën kyçe....

Zyratri i Hamasit thotë se propozimi amerikan për armëpushim nënkupton “vazhdimin e vrasjeve” në Gaza


Një zyrtar i Hamasit ka deklaruar se propozimi për armëpushim i paraqitur nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump është “ende në shqyrtim”, por në formën e tij aktuale do të sjellë vetëm “vazhdimin e vrasjeve dhe urisë” në Rripin e Gazës.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha të enjten se Izraeli ka “pranuar” këtë propozim për armëpushim, ndërsa i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ia ka paraqitur Hamasit për shqyrtim.

Anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Basem Naim, tha për agjencinë Reuters se marrëveshja “nuk përmbush asnjë nga kërkesat e popullit tonë, përfshirë ndalimin e luftës, që është kërkesa më e rëndësishme”, përcjell Al Jazeera.

Sidoqoftë, udhëheqja e lëvizjes po e shqyrton propozimin me përgjegjësi të plotë kombëtare,” shtoi Naim, duke sqaruar se përgjigjja pritet të jepet të premten ose të shtunën.

Sipas burimeve të Reuters, propozimi i ri nuk përfshin angazhime nga Izraeli për të ndalur luftën në Gaza, për të tërhequr trupat nga territori apo për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare pa kufizime.

Në një version paraprak të marrëveshjes, që Reuters thotë se e ka parë, parashikohet një armëpushim 60-ditor.

Gjatë javës së parë do të liroheshin 28 pengje izraelite – të gjallë dhe të vdekur – në këmbim të 1,236 të burgosurve palestinezë dhe mbetjeve mortore të 180 palestinezëve të vrarë.

Plani, sipas të njëjtave burime, garantohet nga presidenti Trump dhe ndërmjetësit Egjipti dhe Katari. Ndihma humanitare do të niste menjëherë sapo Hamas të nënshkruante marrëveshjen.

Qeveria izraelite nuk ka dhënë ende një konfirmim publik për miratimin e këtij propozimi.

Mediat izraelite raportuan këtë javë se kryeministri Benjamin Netanyahu u ka thënë familjarëve të pengjeve që mbahen ende në Gaza se është i gatshëm të ecë përpara me propozimin e Witkoff për një armëpushim të përkohshëm.