Vendosni fjalën kyçe....

Trump Media hedh 2.5 miliardë dollarë në Bitcoin me mbështetje nga investitorë të mëdhenj


Kompania mediatike e presidentit amerikan Donald Trump njoftoi të martën se rreth 2.5 miliardë dollarë (rreth 2.3 miliardë euro) do të investohen në aksionet e saj nga investitorë institucionalë, me qëllim krijimin e një rezerve në Bitcoin.

Sipas Trump Media & Technology Group — kompania që menaxhon platformën Truth Social dhe sipërmarrje të tjera — rreth 50 investitorë institucionalë do të kontribuojnë me 1.5 miliardë dollarë (rreth 1.38 miliardë euro) për aksione të zakonshme dhe 1 miliard dollarë të tjerë (rreth 920 milionë euro) për obligacione të konvertueshme, sipas Euronews.

Trump Media tha se synon të përdorë këto fonde për të krijuar atë që e përshkruan si një “thesar në Bitcoin”.

“Kjo investim do të ndihmojë në mbrojtjen e kompanisë sonë nga ngacmimi dhe diskriminimi nga institucionet financiare, një fenomen që prek shumë amerikanë dhe kompani në SHBA,” deklaroi drejtori ekzekutiv dhe kryetari i Trump Media, Devin Nunes.

Megjithatë, pas këtij njoftimi, aksionet e Trump Media & Technology Group, me qendër në Sarasota, Florida, ranë me 9%.

Kompani të tjera, si zhvilluesi i softuerit MicroStrategy Inc., kanë ndjekur strategji të ngjashme, duke ndërtuar rezerva në Bitcoin përmes shitjes së aksioneve dhe financimit me borxh.

Ky hap përfaqëson një ndryshim të qartë qëndrimi nga vetë Trump, i cili gjatë mandatit të tij të parë kishte deklaruar se kriptovalutat “nuk janë para”, duke i kritikuar për paqëndrueshmëri dhe mungesë vlere reale.

Por në maj 2024, gjatë një eventi elektoral në resortin Mar-a-Lago në Florida, Trump mori garanci nga mbështetës të industrisë së kriptomonedhave se ata do të investonin bujarisht për ta rikthyer atë në Shtëpinë e Bardhë.

Javën e kaluar, Trump organizoi një darkë në një klub luksoz golfi në Virxhinian Veriore për 220 nga investitorët më të mëdhenj të një tjetër projekti të tij në kriptomonedha — monedhës meme $Trump — duke ngjallur akuza se po përziente rolin e tij presidencial me përfitimet personale.