Vendosni fjalën kyçe....

SHBA propozon armëpushim 60-ditor në Gaza, Izraeli pranon, Hamasi ende në shqyrtim


Një plan i propozuar nga Shtetet e Bashkuara për një armëpushim në Rripin e Gazës parashikon një armëpushim 60-ditor dhe shkëmbimin e pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë.

Sipas dokumentit, në javën e parë të marrëveshjes, Hamasi do të lirojë 28 pengje izraelite – të gjallë dhe të vdekur – në këmbim të lirimit të 1,236 të burgosurve palestinezë dhe mbetjeve mortore të 180 palestinezëve.

Plani thuhet se ka garancinë e presidentit amerikan Donald Trump, dhe është hartuar me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe Katarit.

Në momentin që Hamasi do të nënshkruajë marrëveshjen, në Gaza do të nisë menjëherë dërgimi i ndihmave humanitare, të cilat do të shpërndahen nga Kombet e Bashkuara, Gjysmëhëna e Kuqe dhe organizata të tjera të dakorduara.

Të enjten, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Izraeli ka pranuar propozimin e SHBA-së për një armëpushim në Gaza. Sipas mediave izraelite, kryeministri Benjamin Netanyahu u ka komunikuar familjeve të pengjeve se qeveria izraelite ka rënë dakord me planin e paraqitur nga i dërguari i Presidentit Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.

Nga ana tjetër, Hamasi i ka thënë agjencisë Reuters se është ende në proces shqyrtimi të planit, dhe pritet të japë një përgjigje të premten ose të shtunën.

Sipas dokumentit të zbuluar nga Reuters, plani amerikan parashikon që, në momentin kur të hyjë në fuqi një armëpushim i përhershëm, Hamasi do të lirojë 30 pengjet e fundit nga 58 që ende mbahen. Në të njëjtën kohë, Izraeli do të ndërpresë të gjitha operacionet ushtarake në Gaza.

Sipas planit të propozuar nga SHBA, ushtria izraelite do të ridislokojë trupat e saj në disa faza, si pjesë e një armëpushimi të përhershëm që synon t’i japë fund luftës në Gaza. Megjithatë, dallimet e thella mes Hamasit dhe Izraelit mbeten një pengesë serioze për arritjen e marrëveshjes.

Izraeli ka kushtëzuar fundin e luftës me çarmatimin dhe shpërbërjen e Hamasit si forcë ushtarake dhe qeverisëse, si dhe kthimin e të gjithë pengjeve që mbahen ende në Gaza. Nga ana tjetër, Hamasi e ka refuzuar prerazi kërkesën për të hequr dorë nga armët, duke kërkuar tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza dhe një angazhim të qartë për përfundimin e luftës.