Vendosni fjalën kyçe....

Përplasja tregtare SHBA-Kinë rifillon, Trump akuzon Pekinin për shkelje të marrëveshjes së tarifave


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka akuzuar Kinën për shkeljen e marrëveshjes së fundit për uljen e përkohshme të tarifave tregtare, duke rindezur tensionet mes dy fuqive më të mëdha ekonomike në botë, përcjell BBC. Pekini ka reaguar duke hedhur poshtë akuzat dhe duke kërkuar nga SHBA që të ndalojë “masat diskriminuese” kundër Kinës.

Dy vendet kishin arritur një marrëveshje gjatë bisedimeve në Gjenevë më 11 maj, ku ranë dakord për të reduktuar tarifat reciproke dhe për të pezulluar për 90 ditë disa detyrime doganore. Por, Trump tha të premten se Kina e kishte “shkelur plotësisht marrëveshjen”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Më pas, përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer, sqaroi se Kina nuk ka hequr barrierat jotarifore siç ishte parashikuar në marrëveshje. Ai shtoi se, ndonëse tarifat janë ulur në letër, Pekini vazhdon me masa të tjera penguese si kufizimi i eksporteve të materialeve strategjike dhe vendosja në “listë të zezë” të disa kompanive amerikane.

“Ne bëmë gjithçka që na takonte sipas marrëveshjes, ndërsa Kina po e zvarrit zbatimin, gjë që është e papranueshme”, deklaroi Greer për CNBC. Ai shtoi se SHBA po monitoron me shqetësim të madh situatën.

Nga ana tjetër, ambasada kineze në Uashington lëshoi një deklaratë ku theksoi se Kina i ka ngritur vazhdimisht SHBA-së shqetësimet e saj për abuzimin me masat kufizuese të eksportit në sektorin e teknologjisë, veçanërisht në industrinë e gjysmëpërçuesve.

Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump shkroi: “Tarifat që vendosa ishin shkatërruese për Kinën. Unë bëra një marrëveshje të shpejtë për t’i shpëtuar nga një situatë shumë e keqe. Të gjithë ishin të lumtur! Por lajmi i keq është se Kina – ndoshta jo për çudi – e ka SHKELUR PLOTËSISHT MARRËVESHJEN ME NE!”

Trump gjithashtu u shpreh se nuk do të luajë më rolin e “djalit të mirë” dhe sinjalizoi një qëndrim më të ashpër ndaj Pekinit nëse nuk përmbush detyrimet e marrëveshjes.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, pranoi se bisedimet me Kinën janë “në ngërç”, por theksoi se negociatat do të vazhdojnë në javët në vijim, përfshirë mundësinë e një bisede direkte mes Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping.

Bessent vuri në dukje se marrëdhënia personale mes dy liderëve mbetet e mirë dhe shprehu besimin se Kina do të rikthehet në tryezën e bisedimeve.

Ndërkohë, administrata Trump ka marrë edhe masa të tjera të diskutueshme këtë javë. Një gjykatë federale në SHBA vendosi se Trump kishte tejkaluar kompetencat kur vendosi disa nga tarifat e tij më të diskutueshme. Megjithatë, vendimi u pezullua përkohësisht pas apelimit të Shtëpisë së Bardhë.

Në të njëjtën kohë, SHBA njoftoi se do të “revokojë agresivisht” vizat e disa studentëve kinezë, të cilët mendohet se kanë lidhje me sektorin e teknologjisë dhe kërkimin shkencor, një hap që pritet të shkaktojë reagime të forta nga Kina.

Sipas marrëveshjes së arritur në fillim të muajit, SHBA kishte rënë dakord të ulte tarifat për produktet kineze nga 145% në 30%, ndërsa Kina uli tarifat e saj nga 125% në 10%.

Por me përplasjet e reja publike dhe tensionet në rritje, kjo marrëveshje është tashmë në rrezik, ndërsa analistët paralajmërojnë për një kthim të mundshëm të luftës tregtare SHBA-Kinë.