Vendosni fjalën kyçe....

Lisandër Hoxha kërkon rinumërim të votave në Tiranë


Kandidati i Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Lisandër Hoxha, ka depozituar një kërkesë zyrtare pranë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), duke kundërshtuar vendimin nr. 1326, datë 24.05.2025, për miratimin e rezultatit të votimit në Qarkun Tiranë.

Hoxha kërkon rinumërimin dhe rivlerësimin e votave preferenciale për të gjithë kandidatët, duke pretenduar për parregullsi serioze në procesin e numërimit, të konstatuara edhe në pamjet filmike të siguruara nga KQZ, megjithëse të paplota.

“Në kundërshtim të Vendimit nr. 1326, datë 24.05.2025 “Për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e votimit në zonën zgjedhore Qarku Tiranë, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë, në zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025” kërkoj rinumërimin dhe rivlerësimin e votave preferenciale të kandidatëve.

Kjo nisur nga konstatimi në videot e marra, jo të plota, nga KQZ, të procesit të numërimit të votave të zgjedhësve. Konkretisht, në KZAZ nr. 28, kutia 1565, konstatoj se disa vota preferenciale të miat janë regjistruar në emër të një kandidati tjetër.

Sipas informacioneve, ky fenomen ka ndodhur edhe në KZAZ të tjera, duke tjetërsuar rezultatin e zgjedhjeve. Procesi i verifikimit të pamjeve filmike kërkon një kohë të gjatë, të cilën KQZ duhet të na e mundësojë në mënyrë që ligji të zbatohet dhe vullneti i zgjedhësve të lexohet plotesisht.

Përsa më sipër, kërkoj rivlerësimin e votave të kandidatëve për të gjitha KZAZ e Qarkut Tiranë”, thuhet në kërkesë.