Vendosni fjalën kyçe....

KAS rrëzon kërkesën për rinumërim votash, Alimehmeti: U mbështetën në një artificë procedurale


Mjeku Ilir Alimehmeti, kandidat i koalicionit PD-ASHM në Qarkun Tiranë, ka reaguar pas vendimit të KAS për të rrëzuar kërkesën e tij për rinumërim të votave preferenciale.

Në një prononcim për media, Alimehmeti e cilësoi vendimin e KAS si të pabazuar në prova dhe si të mbështetur në një “artificë procedurale” të pakuptimtë.

De facto nuk u morën me kërkesat tona, me përmbajtjen e provave, por me një artificë që thotë se ‘subjekti duhet të kërkojë rinumërim’. Ndërkohë që kryetari i PD është shprehur pro. Thelbi është që nuk u morën me provat e dërguara,” – u shpreh ai.

Alimehmeti theksoi se në dokumentacionin e dorëzuar ka evidentuar mospërputhje në procesverbalet e disa qendrave të votimit dhe madje ka referuar pamje nga kamerat e sigurisë, ku – sipas tij – votat rezultojnë ndryshe nga ato të regjistruara zyrtarisht.

“Kemi parë edhe disa kamera, parregullsi në qindra vota jo vetëm të miat, që në video janë ndryshe nga procesverbali,” – tha ai, duke shtuar se mungesa e sqarimeve nga autoritetet për procedurat që duhet të ndiqeshin e ka vështirësuar procesin ankimor.

Ndërkohë, më herët, KAS rrëzoi edhe kërkesat e tre kandidatëve të tjerë demokratë për rinumërim të votave. Vendimi u mor pas bashkimit të votave të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në këtë komision.