Vendosni fjalën kyçe....

Fatmir Mediu pas zgjedhjeve të 11 majit: Në Parlament nuk ka më figura të PS, por njerëz që nuk dihet kush janë


Kryetari i Partisë Republikane dhe aleat në koalicionin “PD-ASHM”, Fatmir Mediu, ka reaguar pas zgjedhjeve të 11 majit, duke i cilësuar ato si të manipuluara dhe të ndikuara nga krimi i organizuar.

Në një intervistë për “News24”, ai theksoi se opozita ka për detyrë të sjellë prova që faktojnë parregullsitë në procesin zgjedhor.

Sipas Mediut, rezultatet në disa zona nuk pasqyrojnë vullnetin real të qytetarëve, por janë produkt i ndikimit të grupeve kriminale që synojnë të kenë përfaqësues të tyre në Kuvend.

“Detyra e opozitës është të sjellë faktet për manipulimin e procesit zgjedhor. Disa rezultate janë qartësisht jo efekt i raportit kandidat-votues, por të grupeve kriminale që duan të kenë përfaqësuesin e tyre në Kuvend,” deklaroi ai.

Mediu shtoi se në Parlament nuk shihen më figura të njohura të Partisë Socialiste, por individë të panjohur për publikun.

“Ne nuk kemi në Parlament figura të qenësishme të PS-së, por kemi figura që as nuk e dimë kush janë. Nuk kanë pasur ndonjë aktivitet publik për të justifikuar këtë angazhim që kanë sot,” u shpreh ai.

Në vijim të deklaratës së tij, kreu i PR tha se qëndrimi i opozitës nuk është një çështje e brendshme politike, por një çështje që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e Shqipërisë.

“Opozita ka marrë një qëndrim që nuk lidhet thjesht me të, por lidhet me fatin e Shqipërisë: a do të jemi në demokraci, a do të jenë qytetarët ata që vendosin kush është qeveria dhe parlamenti, apo do të vendosin grupet kriminale,” përfundoi Mediu.