Vendosni fjalën kyçe....

Ekstradohet nga Dubai në Irlandë krahu i djathtë i kreut të kartelit të drogës Kinahan – Financial Times


Sean McGovern u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe në tetor dhe është i pari që kthehet që kur shteti i Gjirit dhe Irlanda nënshkruan një traktat historik ekstradimi

Një anëtar i rëndëishëm i bosit më të kërkuar të kartelit të drogës në Irlandë po ekstradohej nga Emiratet e Bashkuara Arabe të enjten si një goditje e madhe ndaj grupit të krimit të organizuar Kinahan, i cili është nën sanksionet e SHBA-së.

Sean McGovern, 39 vjeç, i përshkruar nga Thesari i SHBA si “këshilltari dhe i besuari më i afërt” i kreut të kartelit Daniel Kinahan, u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe në tetor dhe është i pari që ekstradohet kur të dy vendet nënshkruan një traktat historik ekstradimi.

Ardhja e tij për t’u përballur me gjyqin në Irlandë do shihet si provë se laku po i mbyllet Kinahan-ite, një prej mbretërve më famëkeq të drogës në botë, i cili prej kohësh jeton në luks në Dubai i mbrojtur nga frika e ekstradimit.

“Kjo është e rëndësishme.” – tha Michael O’Sullivan, ish-kreu i asaj që tani është Byroja Kombëtare e Drogave dhe Krimit të Organizuar të policisë irlandeze.

“Kjo do e shqetësojë pa masë Kinahan-in dhe do e vendosë atë nën presion.” – tha ai.

“Ata kanë jetuar në një flluskë. Emiratet e Bashkuara Arabe nuk janë më një strehë e sigurt. Ky është një tërmet nga këndvështrimi kriminal.”

Një aeroplan ushtarak irlandez që transportonte McGovern u ngrit të mërkurën mbrëma nga Aeroporti Ndërkombëtar Al Maktoum dhe pritej të ulej në një bazë ajrore ushtarake në jugperëndim të Dublinit më vonë të enjten pas disa ndalesave.

Me të mbërritur McGovern do arrestohet dhe pritet të akuzohet në Gjykatën Speciale Penale të Dublinit. Interpoli vitin e kaluar tha se ai kërkohej me akuza përfshirë vrasjen dhe drejtimin e një grupi të krimit të organizuar.

Policia e Irlandës, “An Garda Síochána” dhe Ministria e Drejtësisë nuk pranuan të komentojnë menjëherë ekstradimin e një figure kyçe në atë që SHBA-ja e ka etiketuar një organizatë të madhe kriminale ndërkombëtare.

“Ai është parë gjithmonë si një rast provë për peshqit më të mëdhenj në kartelin Kinahan.” – tha Nicola Tallant, redaktor i hetimeve në gazetën “Sunday World” dhe autor i librave mbi bandën e Irlandës. “McGovern është numri 2 në organizatë, ai është krahu i djathtë i Daniel Kinahan, ai ka drejtuar biznesin për të.”

Duke sanksionuar shtatë anëtarë të kartelit, përfshirë McGovern në vitin 2022, në një aksion gjithëpërfshirës të SHBA-së, i cili gjithashtu vendosi një shpërblim prej 5 milionë dollarësh amerikanë për secilin, Daniel Kinahan, babain e tij dhe patriarkun e kartelit Christy Kinahan dhe vëllain i tij Christopher, Thesari i SHBA-së tha se “provat tregojnë se të gjitha marrëdhëniet me Daniel Kinahan kalojnë përmes McGovern”.

Ai tha se ai ishte një shitës kokaine në shkallë të gjerë që menaxhonte komunikimet e Kinahan dhe kërkohej për “ndihmë materiale, sponsorizim ose ofrimin e mbështetjes financiare, materiale ose teknologjike” për shefin e tij.

Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu ngrinë asetet e Kinahan-ëve në vitin 2022. Deri tani, vetë Kinahan-ët nuk përballen me akuza në Irlandë, por policia raportohet se ka dorëzuar një dosje te Drejtori i Prokurorisë Publike, i cili duhet të vendosë nëse do ecë para me akuzat. Policia dhe DPP nuk kanë pranuar të komentojnë.

McGovern u përshkrua vitin e kaluar nga Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i Interpolit, Jürgen Stock, si “një nga individët më të kërkuar të Irlandës”, kapja e të cilit “theksoi se asnjë i arratisur nuk mund ta konsiderojë veten të sigurt nga drejtësia”.

Dublinasi, i cili nisi veprimtarinë kur ishte ende adoleshent në Dublin përpara se të ngjitej në radhët e kartelit për t’u bërë njeriu i preferuar i Kinahan, u arrestua 10 ditë përpara se të nënshkruhej traktati i ekstradimit dhe kishte luftuar për largimin e tij.

Zyrtarët irlandezë thonë se ai kërkohet me dyshimin për përfshirje në vrasjen e Noel Kirwan, një burrë i pafajshëm që u qëllua dhe u vra në vitin 2016, ndërsa në Dublin u ndez një grindje vdekjeprurëse midis Kinahan-ëve dhe bandës rivale Hutch. Kirwan ishte një mik fëmijërie i patriarkut Gerry Hutch, i cili vitin e kaluar humbi ngushtë garën për t’u zgjedhur në parlamentin e Irlandës.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ekstraduar tashmë figura të tjera të njohura të krimit me lidhje me Kinahan-ët si italiani Raffaele Imperiale dhe Ridouan Taghi dhe esktradimi i McGovern do dobësojë edhe më shumë Daniel Kinahan-in.

Por Tallant tha se shefi i kartelit ndoshta do përpiqet të shpëtojë.

“Unë mendoj se ai qëndron i vendosur dhe thjesht shpreson se do jetë në gjendje të shpëtojë. Megjithatë është bllokuar dhe do e ketë tejet të vështirë.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT

Përgatiti për Hashtag.al Klodian Manjani