Vendosni fjalën kyçe....

Yield-et e bonove 12-mujore bien përsëri poshtë normës bazë


Yield-et e bonove 12-mujore pësuan rënie në muajin maj, duke zbritur përsëri poshtë normës bazë të interesit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 2.73%, nga 2.78% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Krahasuar me një vit më parë, yield-i i bonove 12-mujore paraqitet në rënie me 0.68 pikë përqindje.

Gjithashtu, bonot 12-mujore kanë prekur sërish nivelin minimal historik relativ, në raport me normën bazë të interesit.

Në fillim të këtij muaji, edhe bonot 3-mujore, në një emetimet e tyre të rralla në vitet e fundit, shënuan një yield prej 2.6%, dukshëm poshtë normës bazë të interesit.

Tregu vazhdon të karakterizohet nga një kërkesë e lartë e investitorëve. Në ankandin e kësaj jave, shuma totale e kërkuar në ankand arriti në 11.2 miliardë lekë, kundrejt një shume të shpallur prej 9.5 miliardë lekësh. Pro rata apo pjesa e pranuar e kërkesave konkurruese zbriti në 21%.

Në analizat e fundit, Banka e Shqipërisë vlerëson se, përtej kahut lehtësues të politikës monetare, rënia e yield-eve ka reflektuar nevojën më të ulët për fonde nga ana e qeverisë në këtë periudhë, përballë një kërkese të lartë nga ana e investitorëve. Në këtë drejtim, evidentohet edhe

rritja e interesit të investitorëve të huaj për të investuar në tituj borxhi të qeverisë shqiptare në monedhë vendase, nxitur edhe nga përmirësimi i fundit i vlerësimeve të agjencive ndërkombëtare për borxhin sovran të vendit.

Konkurrenca nga investitorët e huaj duket se po sjell më shumë trysni rënëse mbi yield-et, ndërsa ka ndikuar në zbutjen e pjerrësisë së kurbës së yield-eve.

Nga ana tjetër, edhe ulja e kërkesës së qeverisë për financim në tregun e brendshëm po ndikon në uljen e yield-eve. Këtë vit, qeveria ka planifikuar një deficit buxhetor në vlerën e 68 miliardë lekëve, në rritje me 19% krahasuar me një vit më parë (në terma realë sa 2.6% e PBB-së, nga 2.3% e PBB-së një vit më parë). Megjithatë, një pjesë e deficitit të planifikuar buxhetor të këtij viti do të financohet nëpërmjet Eurobondit prej 650 milionë eurosh të emetuar në muajin shkurt në Bursën e Londrës.

Rritja e kërkesës dhe ulja e ofertës së insturmenteve të borxhit ka bërë që yield-et të ndjekin një tendencë në rënie për të gjitha maturitetet.

Yield-i i obligacioneve 15-vjeçare pësoi një tjetër rënie në ankandin e kësaj jave dhe arriti një nivel të ri të ulët historik, prej 5.57%. Yield-i i këtyre instrumenteve ka rënë për të gjashtin ankand radhazi dhe ka prekur nivelin më të ulët historik./Monitor