Vendosni fjalën kyçe....

Rritja e armatimit të NATO-s mund të rrisë emetimet me 200 milionë tonë në vit – Studimi


Një valë globale e armatimit përbën kërcënim ekzistencial për objektivat klimatike, sipas një studimi të ri, i cili tregon se vetëm planet e NATO-s për rritjen e armatimit mund të shkaktojnë një shtesë prej gati 200 milionë tonësh të gazeve serrë në vit.

Në një kohë kur bota po përballet me numrin më të madh të konflikteve të armatosura që nga Lufta e Dytë Botërore, shtetet po angazhohen në shpenzime të paprecedenta ushtarake, të cilat arritën një rekord global prej 2.46 trilionë dollarësh në vitin 2023, përcjell The Guardian.

Ekspertët theksojnë se çdo dollar i investuar në pajisje ushtarake sjell jo vetëm një kosto të drejtpërdrejtë në emetime karboni, por edhe një kosto mundësie, pasi fondet mund të ishin përdorur për politika klimaterike.

Kjo përveç kostos njerëzore që sjellin konfliktet.

Ekziston një shqetësim real për mënyrën se si po i japim prioritet sigurisë afatshkurtër duke sakrifikuar sigurinë afatgjatë,” tha Ellie Kinney, hulumtuese në Observatorin për Konfliktet dhe Mjedisin dhe bashkautore e studimit të publikuar ekskluzivisht për The Guardian.

Sipas saj, strategjia aktuale e orientuar drejt forcimit ushtarak po nxit rritjen e emetimeve, duke përkeqësuar krizën klimatike, e cila vetë është bërë shkak i konfliktit në shumë rajone – si në Darfur të Sudanit, ku thatësirat dhe shkretëtirëzimi çuan në përplasje për burime të pakta, apo në Arktik, ku shkrirja e akujve ka nxitur tensione për kontrollin e burimeve të reja të naftës dhe mineraleve.

Studiuesit theksojnë se ushtritë janë ndër strukturat më ndotëse të shteteve.

Prodhimi i armëve përfshin sasi të mëdha çeliku dhe alumini – metale shumë ndotëse për t’u prodhuar. Ndërkohë, operacionet ushtarake janë të varura nga karburantet fosile, si nafta dhe nafta avionësh (keroseni), për transportin tokësor, ajror dhe detar.

Pavarësisht mungesës së transparencës, vlerësimet tregojnë se forcat ushtarake në mbarë botën janë përgjegjëse për rreth 5.5% të emetimeve globale të gazeve serrë – një përqindje që ka gjasa të rritet, teksa tensionet në shumë rajone po intensifikohen.

Sipas indeksit global të paqes (Global Peace Index), militarizimi është rritur në 108 vende në vitin 2023. Aktualisht 92 shtete janë të përfshira në konflikte të armatosura – nga Ukraina dhe Gaza, deri në Sudanin e Jugut dhe Republikën Demokratike të Kongos. Tensionet janë rritur gjithashtu mes SHBA-së dhe Kinës për Tajvanin dhe mes Indisë dhe Pakistanit.

Në Evropë, rritja e shpenzimeve ushtarake ka qenë veçanërisht e ndjeshme: nga viti 2021 deri në 2024, shtetet e BE-së i kanë rritur shpenzimet për armatim me më shumë se 30%, sipas Institutit Ndërkombëtar për Ekonominë dhe Paqen.

Në mars, BE-ja prezantoi planin “ReArm Europe”, që parashikon një fond shtesë prej 800 miliardë eurosh për mbrojtjen, i nxitur nga shqetësimet për qëndrimin e Donald Trumpit ndaj ndihmës ushtarake për Ukrainën.

 

NATO, në qendër të analizës për shkak të transparencës

Analiza, e përgatitur për Zyrën e OKB-së për Çarmatimin, u fokusua tek NATO për shkak të nivelit më të lartë të transparencës në raportimin e emetimeve.

Studiuesit llogaritën rritjen e mundshme të gazeve serrë nëse vendet e NATO-s – përjashtuar SHBA-në – do të rrisnin përqindjen e PBB-së të dedikuar për ushtrinë me 2 pikë përqindjeje.

Duke marrë si bazë që shumë shtete janë në proces të kalimit nga 1.5% e PBB-së për mbrojtjen në 3.5%, llogaritjet treguan një rritje vjetore të emetimeve në bllokun e NATO-s prej 87 deri në 194 milionë tonë CO₂e.

Duke përdorur metodologjinë e kostos sociale të karbonit – e cila vlerëson dëmin ekonomik për çdo ton CO₂ të emetuar në 1,347 dollarë – studiuesit vlerësojnë se kostoja vjetore e këtij rritje ushtarake mund të arrijë deri në 264 miliardë dollarë.

 

Mungesë fondesh për klimën dhe dyfytyrësia në politikat globale

Sipas Kinney, rritja e shpenzimeve ushtarake ndikon drejtpërdrejt në zvogëlimin e fondeve për politikat e mbrojtjes së klimës. Britania, për shembull, ka financuar rritjen e buxhetit të mbrojtjes duke ulur ndihmën e jashtme – një praktikë që është ndjekur edhe nga Belgjika, Franca dhe Holanda.

“Kjo rritje e shpenzimeve ushtarake po dëmton besimin që është thelbësor për multilateralizmin,” theksoi Kinney.

 “Në samitin COP29, shtete nga jugu global, si Kuba, theksuan hipokrizinë e vendeve që janë të gatshme të rrisin në mënyrë drastike shpenzimet ushtarake, por ofrojnë ndihmë klimatike krejtësisht të pamjaftueshme.”