Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria shkarkon Eol Çashkun nga drejtimi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë


Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave ka vendosur shkarkimin nga detyra të kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, z. Eol Çashku, pas një sërë ankesash nga komuniteti i kineastëve për shkelje të rënda ligjore në drejtimin e institucionit.

Sipas vendimit zyrtar, i cili është miratuar me propozim të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, shkarkimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në “Fletoren Zyrtare”.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

“Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7 të ligjit nr. 8096, datë 21.3.1996, ‘Për kinematografinë’, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:

Z. Eol Çashku shkarkohet nga detyra e kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në ‘Fletoren Zyrtare’.”

Çashku ishte emëruar në krye të QKK më 8 mars 2024, por gjatë mandatit të tij të shkurtër është përballur me kritika të forta nga shoqatat e kineastëve, të cilët e kanë akuzuar për shkelje të transparencës dhe keqmenaxhim të fondeve publike.

Ditët e fundit, përfaqësues të industrisë së filmit kishin kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga Ministria e Kulturës dhe një takim urgjent për të shqyrtuar situatën në QKK.