
Patrick Sensburg, kreu i Shoqatës Rezerviste të Forcave të Armatosura Gjermane, tha se nuk mund të gjurmonte njerëzit emrat e të cilëve ishin në të dhënat e saj
Ligjet e rrepta për mbrojtjen e të dhënave po pengojnë përpjekjet e Gjermanisë për të rritur radhët e forcave të armatosura të kombit më të madh të Evropës, ka paralajmëruar shoqata e saj e rezervistëve.
Patrick Sensburg, kreu i Shoqatës Rezerviste të Forcave të Armatosura Gjermane, tha se rregullat e rrepta të privatësisë gjermane dhe të BE-së nënkuptonin se nuk mund të mbante kontakte me afro një milion njerëz që mund të ndihmonin në rritjen e forcave rezervë të vendit pasi kërkon një rol më të fortë në mbrojtjen dhe sigurinë evropiane.
Sensburg tha se kur Gjermania pezulloi rekrutimin në vitin 2011, ajo gjithashtu ndaloi së mbajturi gjurmët e ish-rekrutëve.
“Ne kemi humbur kontaktet e tyre,” tha ai në një intervistë me Financial Times.
“Është e çmenduri.”
Problemi u ndërlikua, tha Sensburg, nga ligjet evropiane për mbrojtjen e të dhënave dhe nga rregullat shtesë në Gjermani, ku kujtimet e epokës naziste dhe të Republikës Demokratike Gjermane komuniste, kanë çuar në një kulturë të kujdesit në lidhje me mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave personale.
Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka premtuar se kombi i tij do luajë një rol udhëheqës në NATO dhe në mbrojtjen e Evropës nga agresioni i mundshëm rus.
Merz i ka dhënë fund shqetësimeve për financimin e rinovimit të Bundesëehr-it duke lejuar huamarrje të pakufizuar për shpenzimet e mbrojtjes dhe zyrtarët thonë se sfida më e madhe e forcave të armatosura tani është personeli.
Carsten Breuer, kreu i forcave të armatosura, ka thënë se numri i ushtarëve profesionistë duhet të rritet nga rreth 180,000 sot në 200,000 deri në fund të dhjetëvjeçarit.

Shefi i forcave të armatosura gjermane Carsten Breuer shqyrton një roje nderi
Breuer ka thënë gjithashtu se ushtria ka nevojë për rreth 260,000 rezervistë, të cilët mund të thirren nën armë për të mbrojtur atdheun e tyre ose për të siguruar mbështetje diku tjetër kur trupat e vijës së parë vriten ose plagosen. Kjo shënon një rritje dramatike nga shifra prej rreth 60,000 sot.
Ushtritë evropiane zakonisht mbështeten në tre kanale kryesore të rekrutimit për të mbushur forcat rezervë: vullnetarë, ish-rekrutë dhe ish-ushtarë profesionistë.
Ndërsa Gjermania mund të tërheqë ish-personel ushtarak me kohë të plotë, ajo nuk ka kërkesa për rekrutim dhe vende të kufizuara për civilët pa përvojë të mëparshme ushtarake.
Qeveria e re ka thënë se do prezantojë një formë të re, vullnetare të shërbimit ushtarak, por fillimisht do stërvisë rreth 5,000 të rinj çdo vit.
Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius tha në një intervistë me Frankfurter Allgemeine Zeitung gjatë fundjavës se arritja e numrit të nevojshëm të rezervistëve do kërkonte gjithashtu “riaktivizimin” e disa ish-ushtarëve.
Shoqata e rezervistëve përfaqëson ish rekrutët e shërbimit kombëtar dhe ish-ushtarët profesionistë, si dhe civilët që shërbejnë në rezervë. Sensburg tha se merrte 24 milionë euro në fonde qeveritare çdo vit për të ofruar mbështetje dhe stërvitje për ish-ushtarët dhe mundësisht mund të ishte një rezervë e pasur e talenteve të mundshme.
Përveçse ka 115,000 anëtarë të paguar, shoqata ka gjithashtu përgjegjësi për të gjithë 10 milionë njerëzit në Gjermani që kanë kryer më parë shërbimin kombëtar ose dikur ishin ushtarë profesionistë.

Një ushtar rezervist vullnetar që stërvitet pranë kazermave Clausewitz-Kaserne
Rreth 9 milionë nga këta njerëz janë mbi 65 vjeç, një pasqyrim i tkurrjes dramatike të forcave të armatosura të Gjermanisë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Sensburg tha se shoqata nuk ishte në kontakt me 1 milion ish-rezervistët, që përfshinte rreth 93,000 njerëz që kishin shërbyer në Afganistan, një grup që ai e përshkroi si rezervistë “me potencial të lartë”.
“Ne as nuk e dimë se sa të aftë janë fizikisht nëse do dëshironin të shërbenin përsëri.”
Sensburg, një ish-deputet nga Kristian Demokratët në pushtet të Merz, shtoi se ndërsa disa mund të jenë të sëmurë ose të painteresuar, nëse edhe vetëm një e katërta e 1 milionëve do pranonin të shërbenin, do mjaftonte për të përmbushur objektivin për numrin e rezervistëve.
Ai tha se ishte absurde që organi përgjegjës për mbledhjen e tarifës vjetore të televizionit të Gjermanisë mund të kontaktonte qytetarët disa javë pasi ata kishin lëvizur shtëpinë, ndërsa ai nuk kishte asnjë mënyrë për të gjurmuar njerëzit, emrat e të cilëve ishin në regjistrat e shoqatës.
Ministria e Mbrojtjes tha se komunikimi i mirë me ish-ushtarët ishte i rëndësishëm për Gjermaninë, por gjithashtu ishte i rëndësishëm mbrojtja e të dhënave personale.
“Ministria po rishikon vazhdimisht se si rregulloret e tanishme të mbrojtjes së të dhënave mund të pajtohen me kërkesat e punës së rezervistëve dhe gjithashtu me rifillimin e regjistrimit dhe mbikëqyrjes ushtarake, për të cilin ne po përpiqemi si pjesë e një modeli të ri të shërbimit ushtarak,” tha ai.
Ai shtoi se që nga viti 2021 ushtarët që largoheshin nga shërbimi aktiv ishin regjistruar automatikisht si rezervistë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani