Vendosni fjalën kyçe....

Nesër rikthehet Kuvendi – Bardhi paralajmëron denoncimin e “farsës elektorale të 11 majit”


Pas një pauze disa javore për shkak të fushatës zgjedhore, Kuvendi i Shqipërisë do të rinisë punimet ditën e nesërme, më 29 maj.

Seanca plenare është parashikuar të nisë në orën 12:00, ndërsa më herët, në orën 10:00, do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e thirrur nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.

Në këtë konferencë do të diskutohet dhe miratohet kalendari i punimeve për periudhën 29 maj – 8 korrik 2025.

Sipas axhendës, gjatë kësaj periudhe Kuvendi do të dëgjojë raportet vjetore të institucioneve publike, përfshirë edhe ato të sistemit të drejtësisë.

Në prag të kësaj seance, deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u ka dërguar një mesazh kolegëve të tij të grupit parlamentar, ku thekson se nesër do të marrin pjesë në seancë me qëllim për të denoncuar atë që ai e cilëson si “farsën elektorale” të 11 majit.

Në mesazhin e tij, Bardhi shkruan:

Të nderuar kolegë,
Nesër, ora 12:00, është seanca plenare e Kuvendit, në të cilën do të marrim pjesë dhe do të bëjmë gjithçka për të paraqitur faktet e plota për farsën elektorale të 11 majit. Ju përshëndes!

Pritet që PD të kërkojë interpelanca apo të ngrejë zërin për procesin zgjedhor të zhvilluar në disa bashki, ku opozita ka hedhur akuza për manipulime masive dhe blerje votash.