Vendosni fjalën kyçe....

Transferimi i katërt i emigrantëve në Shqipëri, mbërrijnë 30 të huaj në Gjadër


Një grup i ri emigrantësh është transferuar nga Italia drejt Shqipërisë në kuadër të marrëveshjes mes dy vendeve për menaxhimin e emigracionit të paligjshëm. Të martën në mëngjes, anija e Marinës italiane “Spica” u nis nga porti i Brindisit me rreth 30 emigrantë në bord dhe mbërriti në qendrën e riatdhesimit në Gjadër, ku ata do të qëndrojnë në pritje të deportimit.

Sipas raportimeve, emigrantët e sapoardhur janë nga vende të ndryshme të botës, dhe me këtë dërgesë, numri i përgjithshëm i të strehuarve në objektin në Gjadër ka shkuar në rreth 50 persona. Ministria e Brendshme italiane njoftoi se 30 prej tyre janë tashmë të riatdhesuar.

Ky është transferimi i katërt i tillë, pas atij të fundit të ndodhur më 11 prill. Ndërkohë, çështja po monitorohet nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, e cila pritet të japë një vendim lidhur me apelimet e Gjykatës së Romës mbi ligjshmërinë e arrestimeve të emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe dhe të dërguar në Shqipëri, kryesisht shtetas nga Egjipti dhe Bangladeshi, vende që Italia i konsideron “të sigurta”.

Në një deklaratë për mediat, Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, theksoi se nuk po dërgohen në Shqipëri individë që thjesht ndodhen në parregullsi administrative. “Kemi riatdhesuar njerëz që po liroheshin nga burgu për krime të rënda, përfshirë përdhunim dhe pornografi me fëmijë,” u shpreh ai, duke shtuar se masa ka për qëllim sigurinë kombëtare dhe menaxhimin efektiv të migracionit të jashtëligjshëm.