Vendosni fjalën kyçe....

Ministrat e BE-së miratojnë fondin e ri të armatimit 150 miliardë euro


Bashkimi Evropian miratoi të martën krijimin e një fondi armatimi prej 150 miliardë eurosh (170.7 miliardë dollarë) të BE-së, i nxitur nga frika e një sulmi rus në vitet e ardhshme dhe dyshimet rreth angazhimeve të sigurisë së SHBA-së në kontinent.

Miratimi, nga ministrat e vendeve të BE-së që takohen në Bruksel, ishte hapi përfundimtar ligjor në ngritjen e skemës së Veprimit të Sigurisë për Evropën (SAFE), duke përdorur huamarrjen e përbashkët të BE-së për t’i dhënë hua vendeve evropiane për projekte të përbashkëta të mbrojtjes, shkruan Reuters.

Masa u mbështet nga 26 nga 27 vendet anëtare të BE-së, ndërsa Hungaria abstenoi, thanë diplomatët.

“Ne miratuam SAFE – programin e parë të investimeve të mbrojtjes në shkallë të gjerë në nivel të BE,” tha Polonia, e cila mban presidencën e rradhës të BE-së, në X.

“Sa më shumë të investojmë në sigurinë tonë, aq më mirë do t’i pengojmë ata që na dëshirojnë dëm.”

Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i BE-së, propozoi fondin në mars, pasi u rrit frika midis liderëve evropianë se ata nuk mund të ishin të sigurt se administrata e Presidentit të SHBA Donald Trump do t’i mbronte ata nga sulmet.

Të alarmuar nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 dhe nga frika se mund të jenë objektivi i ardhshëm i Moskës, vendet e BE-së kanë rritur tashmë shpenzimet e mbrojtjes me më shumë se 30% në tre vitet e fundit. Por liderët e BE-së thonë se kjo nuk mjafton.