Vendosni fjalën kyçe....

Lapaj kërkon rinumërim votash në Fier dhe Vlorë: Pamjet filmike tregojnë se ka mospërputhje të votave me procesverbalet


Lideri i koalicionit “Nisma – Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka kërkuar rinumërimin e votave në qarqet Fier dhe Vlorë, duke pretenduar se ka mospërputhje të dukshme mes votave faktike në kuti dhe procesverbaleve të miratuara nga komisionet zgjedhore.

Lapaj, i cili arriti të sigurojë vetëm mandatin e tij për deputet në Tiranë gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, publikoi në rrjetet sociale pretendimet e tij pas analizës së pamjeve filmike të siguruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas tij, mospërputhjet janë të domethënëse dhe lidhen drejtpërdrejt me mandate që janë fituar nga Partia Socialiste me diferenca të ngushta.

“Në çdo kuti ku rezulton të jetë prekur vota, ne do çojmë në prokurori çdo person përgjegjës,” deklaroi Lapaj.

Ai listoi disa nga qendrat e votimit ku, sipas tij, janë konstatuar manipulime:

  • ZAZ nr. 55, VNV 55/3, kutia 2831/00 – i janë shtuar 4 vota PS-së dhe janë hequr 2 vota nga Nisma SHB;
  • ZAZ nr. 60, VNV 60/3, kutia 3017 – dy vota të pavlefshme janë kaluar si të vlefshme për PS-në;
  • ZAZ nr. 60, VNV 60/3, kutia 2997/00 – janë shtuar 2 vota për PD dhe 4 për PS;
  • ZAZ nr. 56, VNV 56/5, kutia 288/01 – janë shtuar 2 vota për PS dhe është hequr 1 votë nga Lëvizja Atdheu;
  • ZAZ nr. 56, VNV 56/3, kutia 2866/01 – është hequr 1 votë nga Nisma SHB dhe janë shtuar 3 vota tek pavlefshmet;
  • ZAZ nr. 56, kutia 2862/01 – janë hequr 2 vota nga Nisma SHB dhe janë shtuar 2 vota të pavlefshme.

“Ne edhe mund të mos i kemi ato mandate, por edhe vetëm 1 votë të jetë prekur, do të ndiqen penalisht përgjegjësit,” shkruan Lapaj, duke theksuar se kërkesa për rinumërim do të dorëzohet sot në KQZ.