Vendosni fjalën kyçe....

PD reagon për vrasjen e trefishtë në Tiranë: Shteti të bëjë zap territorin, të mbahet përgjegjësi për rastin, Çuçi të japë dorëheqjen


Partia Demokratike ka reaguar pas masakrës së ditës së sotme ku Dan Hutra vrau dy gra në Paskuqan dhe plagosi një tjetër në Astir.

Nëpërmjet shefit të Organizimit në PD, Klevis Balliu, kërkoi që qytetarët të ndihmojnë autoritetet për kapjen e autorit.

PD kërkon që të merren dhe mbahen përgjegjësi për rastin, si në aspektin e lrimit të tij pasi ishte në arrest për dhunë në familje si dhe për kapjen e tij.

Më tej Balliu theksoi se shteti duhet të bëjë zap territorin dhe të kapë autorin.

PD kërkon edhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.

Deklarata e plotë:

Një vrasje e trefishtë ka tronditur sot kryeqytetin dhe Shqipërinë.

Në emër të Partisë Demokratike u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave dhe u uroj shërim të shpejtë të lënduarve.

Gjithashtu u bëj thirrje qytetarëve të kenë kujdes, duke qenë se policia ende nuk ka arritur ta lokalizojë apo neutralizojë autorin e dyshuar të masakrës së Paskuqanit dhe Astirit.

Inkurajohen qytetarët që, gjithashtu të ndihmojnë policinë me çdo informacion për kapjen e autorit të dyshuar, duke treguar kujdes për jetën e tyre dhe të afërmve.

Këtë kujdes që u kërkohet qytetarëve, me sa duket nuk e kanë patur për asnjë çast parasysh institucionet që janë ngritur, paguhen dhe janë përgjegjës me kushtetutë për mbrojtjen e sigurisë dhe jetës së qytetarëve shqiptarë.
Autori i dyshuar Hutra është liruar nga arresti me burg, dhe gjykatat në reagimet e tyre nxitojnë në të heqin fajin nga vetja.

Pyetja dramatike mbetet: kush dhe pse e liroi nga qelia një person qartësisht të rrezikshëm, i cili jo vetëm kishte vrarë bashkëshorten e pare, por kishte kërcënuar jetën edhe të bashkëjetueses.

Një kërcënues serial i jetës së të tjerëve, një i dënuar me burgim për vrasje, është sot një feminicid, i pari i këtij lloji ndoshta në historinë e Shqipërisë.

Te ky vrasës serial femrash, fatkeqësisht ka gisht sistemi i kalbur i ligjvënies në Shqipëri. Një pakujdesi fatale, një verbëri çnjerëzore ose një korrupsion trashanik i drejtësisë sonë me një këmbë na varr, ka çuar drejt varrit tri gra të pafajshme.

Partia Demokratike kërkon marrje dhe mbajtje përgjegjësish. Gratë dhe vajzat e Shqipërisë nuk mund të vriten rrugëve.

Shteti duhet të kontrollojë territorin dhe të bëjë zap kriminalitetin, ose të hapë rrugën!

Ministri i Rendit pa rend duhet të japë dorëheqjen!

Gjykatat duhet të kuptojnë se vendimet e tyre shpëtojnë ose kushtojnë jetë, ose të dorëzojnë togat!

Kaq shumë herë dëgjojmë që vrasësit kanë ikur në drejtim të paditur, por fatkeqësisht jemi në pikën kur duket se Shqipëria po ikën në drejtim të paditur.