Vendosni fjalën kyçe....

Klevis Balliu falënderon të rinjtë për angazhimin në fushatë: Nuk do të lejojmë që sakrifica juaj të shkojë dëm


Shefi Organizativ i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka shprehur mirënjohjen e tij për të rinjtë që morën pjesë aktive në fushatën elektorale, duke i cilësuar si forca që qëndruan në ballë të betejës për ndryshim.

Në një postim në rrjetet sociale, Balliu vlerësoi përkushtimin e të rinjve, të cilët sipas tij, lanë mënjanë angazhimet personale për të kontribuar në fushatë, me qëllimin për të sjellë një qeveri që mbështet rininë dhe ofron një program të qartë dhe të zbatueshëm.

“Të rinjtë po bashkohen për të shpëtuar vendin nga kthetrat e totalitarizmit dhe për të zbuluar të vërtetën e farsës elektorale”, shkruan Balliu, duke theksuar se kjo përpjekje po bëhet e dukshme për qytetarët dhe opinionin ndërkombëtar.

Ai premtoi se angazhimi i tyre nuk do të shpërfillet: “Një gjë është e padiskutueshme – ne nuk do të lejojmë që përkushtimi dhe sakrifica e këtyre të rinjve të shkojë dëm”, u shpreh Balliu.