
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) vendosi sot të pranojë pjesërisht ankesën e Partisë Demokratike (PD) dhe koalicionit PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore lidhur me zgjedhjet parlamentare në qarkun Kukës, të mbajtura më 11 maj. Nga pesë kërkesa të paraqitura, tre u miratuan.
KAS pranoi shqyrtimin e të dhënave të DHL për votat e diasporës nga Greqia si dhe raportin e audituesve teknicienë. U pranua gjithashtu kërkesa për regjistrin e nënshkrimeve të zgjedhësve në diasporë që vërteton marrjen e materialeve zgjedhore për Greqinë.
Ndërkohë, kërkesa për kryqëzimin e të dhënave nga pajisjet PEI në të gjitha qendrat e votimit të Kukësit u refuzua, për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme. Po ashtu, u rrëzua edhe kërkesa për kopje të regjistrave të posaçëm për çdo qendër votimi, pasi nuk u konsiderua e lidhur drejtpërdrejt me thelbin e ankesës.
KAS u bëri thirrje autoriteteve zgjedhore që të sigurojnë sa më shpejt të dhënat e kërkuara. Seanca do të vijojë më 30 maj, ora 10:00, kur do të shqyrtohen provat e pranuara.