
Farsë hetimore e ka quajtur kreu i PL-së Meta hetimin e SPAK-ut ndaj tij lidhur me dosjen CEZ-DIA.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale nga qelia e paraburgimit, ai akuzoi kryeministrin Rama për fasë zgjedhore më 11 maj, farsë e cila sipas tij u ndihmua edhe nga prokuroria speciale.
Sipas Metës, gjykimi i procesit do faktojë botërisht se SPAK që nuk shikon krimin te dosja e inceneratorëve e lëshon urdhërarreste fiktive për terroristët zgjedhorë, është një organizatë në shërbim të verbër të Edi Ramës.
“Pas farsës kriminale zgjedhore, që nuk mund të ndodhte pa ndihmën e SPAK edhe me rrëmbimin tim në mënyrë kriminale më 21 tetor 2024, siç e panë të gjithë shqiptarët dhe e gjithë bota, përshëndes përfundimin e farsës hetimore të tejzgjatur nga SPAK për shkak të zgjedhjeve, të nisur që në dhjetor 2019 nga Altin Dumani. Pres me padurim, nisjen e gjykimit të këtij procesi, i cili do të jetë publik dhe do të faktojë botërisht se SPAK-u që nuk shikon krimin intelektual të inceneratorit që nuk ekziston dhe që lëshon urdhër-arreste fiktive për terroristët zgjedhorë, duke i lajmëruar që të largohen, është vetëm një organizatë në shërbim të verbër të Edi Ramës, që me “Task Force” e saj anti-opozitë i dha atij një mandat të paligjshëm vetëm me qëllimin që të garantojnë mandate të përjetshme për veten e tyre.
Nga sot ne nisim çmontimin e kësaj farse hetimore e cila kërkon të spostojë vëmendjen nga krimet e tmerrshme zgjedhore, edhe duke porositur titra te mediat e inceneratorëve për publikimin e akuzave që nuk qëndrojnë, kur çdo shqiptar e di se Ilir Meta u rrëmbye në mënyrë kriminale dhe mbahet në izolim ekstrem me zero fakte dhe zero prova penale.
Ne do të ballafaqohemi më të gjitha pseudoakuzat e formuluara nga Edi Rama dhe të nënshkruara nga mercenarët e tij.
Ne do të ballafaqohemi me të gjithë “dëshmitarët” e prodhuar nga Edi Rama dhe që kanë patur probleme me drejtësinë dhe integritetin e tyre.
Jemi të bindur në shpartallimin e plotë të kësaj farse kundër Ilir Metës si President i Partisë së Lirisë, por edhe si ish-President i Republikës, i cili provoi botërisht në Komisionin e Venecias dhe kudo tjetër, shndërrimin e Reformës në Drejtësi me 140 vota në Ramaformë me 69 vota.”