
Një shtetas shqiptar, Adriatik Abazi, 47 vjeç, është dënuar me 14 muaj burg në Mbretërinë e Bashkuar pasi u kap brenda një banese që përdorej si fermë kanabisi me vlerë rreth 900 mijë paundë. Arrestimi ndodhi pas një hetimi të nisur nga policia britanike, pas dyshimeve mbi gjendjen e jashtme të shtëpisë – dritare të mbyllura me dërrasa dhe qira e papaguar.
Abazi ishte i vetmi person i pranishëm në objekt në momentin e ndërhyrjes së autoriteteve. Në dëshminë e tij në gjykatë, ai tha se kishte mbërritur në Britani për të vizituar një mik, por gjatë një qëndrimi në një lokal në Londër, ishte kontaktuar nga disa bashkëkombës dhe pas konsumimit të alkoolit, i ishte bërë një ofertë për të “ujitur bimë” në një vend të panjohur.
Sipas rrëfimit të tij, ai ishte dërguar në një shtëpi të braktisur ku iu dha një telefon dhe udhëzime për kujdesin ndaj bimëve të kanabisit. Abazi pretendoi se ishte kërcënuar të qëndronte aty dhe se i ishin marrë dokumentet italiane, të cilat nuk do t’i ktheheshin nëse refuzonte të bashkëpunonte.
Gjykata britanike, megjithatë, theksoi se i pandehuri kishte kaluar ditë të tëra i vetëm në banesë dhe kishte pasur mundësi të kërkonte ndihmë, gjë që nuk e kishte bërë. Ai kishte qëndruar i izoluar për rreth 11 ditë para ndërhyrjes së policisë.
Avokati mbrojtës argumentoi se klienti i tij nuk e konsideron veten viktimë trafikimi, por një person që u mashtrua dhe përfitohej nga gjendja e tij e vështirë. Gjykata e cilësoi përgjegjësinë e Abazit të pamohueshme dhe vendosi dënimin e tij me 14 muaj burg.