Vendosni fjalën kyçe....

Rama ironizon opozitën pas fitores: Fantazi me zarfe, trena bullgarë dhe vargmale kanabisi


Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet me ironi akuzave të opozitës për vjedhje votash dhe manipulim të zgjedhjeve, gjatë një takimi me deputetët në festën e fitores të mbajtur të hënën pasdite.

Në fjalën e tij, Rama hodhi poshtë çdo aludim për manipulim elektoral, duke theksuar se rezultati i zgjedhjeve është produkt i një pune të gjatë dhe të organizuar, që sipas tij nisi menjëherë pas fitores në zgjedhjet vendore.

“Ne nuk kemi asnjë zhgënjim këtu. Avazi është siç e kemi ditur dhe siç e paralajmërova unë me precizionin e atij që tregon një film që e ka parë dhjetë herë. Ne morëm thjesht frytet e një pune të gjatë, këmbëngulëse, të programuar me një kalendar që pas fitores së zgjedhjeve vendore”, tha Rama.

Duke ironizuar pretendimet e opozitës, kryeministri foli për një “univers paralel” të kundërshtarëve të tij politikë, të mbushur me “zarfe votash, trena bullgarë dhe vargmale kanabisi”.

“Këto ditë universi i tyre paralel është mbushur me thasë re të zeza që derdhin ngado shiun e votave të vjedhura. Zarfe votash që mësyjnë nga të katër anët si tufa zogjsh prej letre, trena bullgarë që përshkojnë malet dhe luginat e Shqipërisë për të shumëfishuar votat e regjimit, vargmale me kanabis që lulëzojnë me bekimin e partisë-shtet dhe me licencat imagjinare të shtetit-parti, dhjetëra deputetë që kanë dalë nga shpellat e krimit”, deklaroi ai.

Rama e cilësoi reagimin e opozitës si një skenar të përsëritur dhe theksoi se PS nuk është e befasuar nga këto qëndrime.

Sipas tij, kundërshtarët nuk janë të gatshëm të pranojnë humbjen dhe vijojnë të ndërtojnë narrativa të pabaza për të justifikuar rezultatin.