
Dritan Gjika, një nga shqiptarët më të kërkuar ndërkombëtarisht, është arrestuar më 26 maj 2025 në një operacion të përbashkët mes Interpolit në Ekuador dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe, në koordinim me rrjetin ndërkombëtar PAcCTO 2.0.
Gjika, 47 vjeç, ishte në kërkim me dy Njoftime të Kuqe të Interpolit për trafik droge, pastrim parash dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Ai kishte mbërritur për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me një vizë të përkohshme vizitori, ku ndërtoi një rrjet të sofistikuar kriminal që operonte ndërmjet Ekuadorit dhe Spanjës, duke transportuar sasi të mëdha droge drejt vendeve të Amerikës Qendrore dhe Evropës si Holanda, Belgjika dhe Spanja.
Autoritetet ekuadoriane njoftuan se struktura që drejtonte përfshinte një ekip menaxhimi, logjistikë dhe bashkëpunëtorë të cilët shfrytëzonin kompani të ligjshme për të pastruar para dhe për të fshehur aktivitetet kriminale. Ndihmë në këtë rrjet jepnin edhe persona të infiltruar në porte detare, të cilët ndihmonin në ngarkimin e drogës në kontejnerë përmes metodës së njohur si “grepi i verbër”.
Gjika u identifikua si drejtues i operacioneve të mafias shqiptare në Ekuador nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm pas një bastisjeje në një banesë në Guayaquil, më 6 shkurt 2024.
Ai aktualisht ndodhet në pritje të procedurave të ekstradimit drejt vendit ku do të përballet me drejtësinë. Arrestimi i tij përfaqëson një goditje të rëndësishme ndaj rrjeteve të krimit të organizuar shqiptar jashtë vendit.