Vendosni fjalën kyçe....

Jozefina Topalli: 90% e votave nga diaspora për PS-në, mrekulli elektorale me zarfa


Drejtuesja politike e Partisë Demokratike për Diasporën, Jozefina Topalli, ka ngritur dyshime të forta mbi procesin e votimit të diasporës, veçanërisht për qarkun e Beratit, duke e cilësuar situatën si një “epokë e mrekullive elektorale”.

Në një postim në rrjetet sociale, Topalli shprehet me ironi se nuk bëhet fjalë për mobilizimin e diasporës, por të zarfave, duke aluduar për manipulime nga ana e mazhorancës.

Nëse PS merr 57% në Berat, por 90% nga ‘Berati në Athinë’, nuk kemi të bëjmë me mobilizim të diasporës, por me mobilizim të zarfit nga selia,” – shkruan Topalli.

Ajo kritikon mënyrën si janë mbledhur dhe numëruar votat, duke aluduar se zarfi ka votuar vetë, pa pasur emigrantin përballë.

Zarfi nuk e gjeti emigrantin – zarfi e zgjodhi vetë votën,” ironizon Topalli, duke shtuar:

“As Cambridge Analytica, as ndihmësit e Putinit s’do guxonin të prodhonin 90% përqindje në ajër – me zarfa të ‘vetëvotuar’.”

Në mesazhin e saj, ajo thekson kontrastin midis realitetit që përjetojnë qytetarët brenda vendit dhe rezultatit “shkëlqyeshëm” që vjen nga jashtë:

“Shkëlqimi i Beratit, Fierit etj., është aq i fortë, sa të verbon… edhe fletën e votimit.”

Topalli e përfundon reagimin me një mesazh të nënkuptuar se këto rezultate minojnë besimin e qytetarëve tek procesi zgjedhor, veçanërisht në kontekstin e përfshirjes së diasporës në votim.

Kjo deklaratë vjen mes debatit në rritje mbi transparencën dhe integritetin e votimit për emigrantët, një temë gjithnjë më e diskutuar në Shqipëri, veçanërisht pas përfshirjes më të gjerë të diasporës në procesin zgjedhor.