Vendosni fjalën kyçe....

Helmimi me salmonelë, kryebashkiaku i Gramshit: Më intereson shëndeti i fëmijëve, jo protagonizmi i ndonjë palaçoje politik


Kryetari i Bashkisë së Gramshit, Besion Ajazi, ka reaguar pas shqetësimeve publike mbi infektimin me salmonelë të 14 fëmijëve në kopshtin nr.1 të qytetit. Në një deklaratë për mediat, Ajazi tha se nuk bëhet fjalë për një situatë masive, duke sqaruar se vetëm 6 nga fëmijët e prekur kanë kërkuar trajtim spitalor dhe se nuk ka patur përhapje të mëtejshme të infeksionit.

Kreu i bashkisë theksoi se ngjarja nuk është fshehur dhe se bashkia ka ndjekur të gjitha procedurat e duhura lidhur me kontrollin e ushqimeve.

“A mbulohet dielli me shoshë, jo? Nuk ka tentativë të tillë. Bashkia ka përgjegjësitë e veta, përgjegjësia jonë nëpërmjet inspektorit tonë është në momentin që bëhet furnizimi me produktet ushqimore, kërkojmë fletën e analizave për çdo ushqim, dhe nuk është pranuar ndonjë produkt ushqimor pa fletë analize.

Unë, më intereson gjendja shëndetësore e vogëlushëve, gjendja edhe shpirtërore e prindërve të tyre, por asgjë tjetër veç kësaj që nuk lidhet me këtë rast, por me protagonizmin lokal provincial të ndonjë palaçoje politik. Nuk mundet që kryetari i bashkisë të dijë vlerën e tenderit, di që procedura është e rregullt.

Numri është diku te 60 e pak fëmijë në atë kopsht, fatmirësisht kemi vetëm atë numër të të prekurve, s’kemi përhapje. Besoj se s’do të kemi raste të tjera.  

Të dalë një që të thotë se kush ka bërë presion. Po shfrytëzon rastin e fëmijës së vet për të bërë politikë, s’do të doja të ndodhesha në atë situatë dhe të bëja politikë me rastin tim.

Askush nuk ka bërë presion, asnjë lloj intimidimi. Është kopsht që i përmbledh të gjithë, punonjësit në shtet e privat, nuk ka asnjë pretendim të tillë të vërtetuar dhe të faktuar.”, tha Ajazi.