
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të rënda në një intervistë ekskluzive në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, duke deklaruar se zgjedhjet e fundit ishin një farsë e organizuar nga shteti dhe krimi i organizuar.
Berisha theksoi se procesi elektoral u diktua nga kartelet e drogës dhe bandat kriminale, të cilat sipas tij jo vetëm që ndikuan në votën e qytetarëve, por edhe në përzgjedhjen e kandidatëve në lista.
“Nuk kisha iluzion për zgjedhje të lira me Edi Ramën. Këto ishin votime nën diktat kriminal, një farsë e paralajmëruar nga Parlamenti Europian dhe Partia Popullore Europiane,” tha Berisha.
Ai përmendi konkretisht qarkun e Fierit, duke akuzuar struktura kriminale si “Shytët” dhe individë të kërkuar ndërkombëtarisht për përfshirje në procesin zgjedhor. Sipas tij, këta individë kanë vendosur kandidatë në lista dhe kanë blerë vota në bashkëpunim me përfaqësues të lartë të qeverisë.
“Shytët kanë futur në listë një vajzë, Kiduina Zaka, dhe kanë mbështetur kandidatë si Korreshi e Ceno Klosi. Juli i Pashakos, edhe pse në kërkim, është i kudogjendshëm. Ben Qimen e futi në kërkim Belinda Balluku, por sot ose e mbështet Zeqinenë, ose e kapin,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se organizatat kriminale janë tashmë faktor kombëtar në zgjedhje dhe se drejtimi me to bëhet nga qendra, jo më nga qarqet.
“Është një kartel që kontrollon çdo metër të portit, çdo lëvizje. Marrin 3 mijë euro për njeri për të kaluar. Ky është shteti që ka ndërtuar Edi Rama,” përfundoi ai.